Sport

Algoritmi që po e projekton Shqipërinë drejt Euro 2024


Alarico Rossi, shefi i departamentit të skautingut të Kombëtares shqiptare dhe analist i kombëtareve kryesore, ka treguar për algoritmin që po e çon ekipin kuqezi drejt Kampionatit Evropian, Euro 2024.

Pushimi ndërkombëtar ka përfunduar. Kualifikueset për Evropianin e radhës morën një rrugë të përcaktuar mirë dhe nuk munguan surprizat. Një mbi të gjitha është Shqipëria: e para në grupin e saj me +2 pikë ndaj Çekisë (me një ndeshje më pak) dhe Moldavisë (me të njëjtat ndeshje).

Kualifikimi i dytë në historinë e kombëtares për një kampionat evropian nuk duket më i largët. Ditët e fundit, Rossi tha për portalin e gazetarit italian Gianluca di Marzio (gianlucadimarzio.com): “Nëse rezultatet na ndihmojnë, në fund ia vlente të bënim këto sakrifica”.

Dhe, rezultatet sigurisht që kanë ardhur, por nuk kanë lindur rastësisht.

Alarico Rossi

Shumica e tyre mbërritën falë një algoritmi. Alarico na la në procesin më të rëndësishëm të vendimmarrjes për një moment: të thërrasë një lojtar apo jo.

“Parimi i parë i algoritmit është përshtatshmëria. Pra, nëse lojtari ka bërë tashmë paraqitje për ekipet e tjera kombëtare, ai nuk konisderohet. Megjithatë, nëse ai ka një pasaportë shqiptare dhe mund të luajë me ne, ai konsiderohet”, tregon Rossi.

Shqiptarët janë ndër ata me numrin më të madh të pasaportave të dyfishta. Ka mbi 9 milionë shqiptarë në mbarë botën.

“Në atë moment kemi një listë kampionatesh, të kataloguar sipas karakteristikave: kemi fizikun, teknikën dhe lojtarët më të mirë. Situata e lojtarit vlerësohet në bazë të karakteristikave të një kampionati, pastaj nivelit të ekipit, shpeshtësisë së çfarë luan dhe më në fund në ecurinë e skuadrës”, vijoi të thoshte shefi i departamenit të skautingut në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Për shembull, në kombëtare vjen një lojtar që është titullar në një ekip të rënë nga liga, i cili nuk është i lumtur dhe ndikon në vlerësimin përfundimtar.

“Ne kemi njohuri të tilla që kampionatet mund të kalojnë nga një grup vlerësimi në tjetrin. Kampionatet skandinave kanë karakteristika fizike që tani janë në rënie, sepse të gjithë kanë fusha artificiale. Pra federata zhvillohet, kampionati ndryshon dhe vlerësimi i lojtarëve gjithashtu”, theksoi ai.

Nga kupat evropiane e deri te stërvitja në klub

Garat evropiane janë gjithashtu një faktor themelor.

“Nëse Copengahen fiton kundër kampionëve polakëve, kjo do të thotë se kampionati danez është i një niveli më të lartë se ai polak. Copengahen mundi Sparta-n e Pragës me penallti në raundin e kaluar, në këtë pikë mund të konsideroj se, në këtë moment, Ligat daneze dhe çeke janë më të mira se ajo polake”, tha Rossi.

Alarico Rossi

Jeta në klub ka padyshim një ndikim të rëndësishëm në vlerësimin e një lojtari.

“Kur vëzhgojmë llojin e lojtarit, duhet të analizojmë edhe trajnerin që punon për klubin e tij. Nëse trajneri ndryshon, kjo gjeneron edhe pasoja për lojtarin: plani i lojës, sa zëvendësime bën… janë të gjitha parametra, analiza e të cilëve më pas prodhon një gjykim për lojtarin që përfundon në tryezën e komisionerit tonë teknik, në formën e një raporti”, rrëfen italiani.

Si lindi algoritmi dhe si përdoret

“Vetëm pas gjithë këtij procesi kalojmë në vëzhgim me video”, thotë ai.

Por si lindi ky algoritëm?

“Ne ishim përpjekur të fillonim vetëm me të dhënat, por e kuptuam se bërja e pesë krosimeve në ligën ruse nuk kishte asnjë lidhje me kryerjen e tyre në ligën polake apo në ndonjë ligë tjetër. Ne kishim nevojë për mbledhjen totale të të dhënave për të cilat nuk kishim as kohë as burimet. Në fillim isha vetëm unë, tani jemi gjashtë veta dhe kjo është e mundur”, theksoi Alarico.

Një proces shumë i gjatë në fillim, por sot arrijnë të jenë mjaft të fokusuar në propozimin e lojtarëve.

“Ata duhet t’i përmbahen gjithmonë modelit të lojës së trajnerit. Padyshim nëse një trajner luan me 4-3-3, unë nuk mund t’i ofroj atij një të pestë ose një mesfushor sulmues. Por ne kemi një listë të lojtarëve të përdorshëm në mënyrë që nëse trajneri dëshiron për të ndryshuar formacionin kemi alternativa të vlefshme në dispozicion”, tregon anëtari i FSHF-së.

“Pak e kalojnë këtë skanim, por ne arrijmë të kemi 5-6 lojtarë për pozicion mes titullarëve dhe kandidatëve që mund t’i dorëzohen trajnerit”, përfundoi Rossi.

Shqipëria tashmë do të garojë për të hyrë në Kampionatin Evropian në Gjermani në tetor kur përballet me Çekinë, por mos e quani mrekulli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore