Lajme

Alexei Navalny duhet të përfundojë menjëherë grevën e urisë


Mjekët e udhëheqësit të burgosur rus, Alexei Navalny, e kanë shtyrë që t’i japë fund njëherë e mirë grevës së tij të urisë. Ata e kanë paralajmëruar se, përndryshe, ai mund të vdiste.

Në një deklaratë, të pestë thonë se u janë treguar rezultatet e testeve të tij mjekësore të kryera më 20 prill.

“Nëse greva e urisë vazhdon edhe për një kohë të shkurtër, për fat të keq ne thjesht nuk do të kemi askënd për ta trajtuar”, thonë ata.

Mijëra rusë u mblodhën të mërkurën e 21 prillit, duke kërkuar lirimin e Navalny-t.

Më shumë se 1 mijë njerëz u arrestuan në një sërë qytetesh, përfshirë Moskën, sipas grupit të monitorimit të Rusisë OVD-Info.

Navalny, i cili u burgos në shkurt, po kërkon trajtim mjekësor për dhimbje akute në shpinë dhe mpirje të këmbëve. Për më shumë se 20 ditë, ai ka qenë në grevë urie.

Çfarë thanë mjekët?

Deklarata e mjekëve u botua në faqen e internetit të Mediazona të enjten e 23 prillit.

Mjekët, të cilëve u është refuzuar aksesi drejt Navalny-t, thonë se përfundimet e tyre bazohen në rezultatet e testeve mjekësore të së martës, të përshkruara pak a shumë si të pavarura. Testet u kryen në një spital në qytetin Vladimir, në lindje të Moskës.

Mjekët, të cilët kishin trajtuar udhëheqësin e opozitës para se të burgosej, paralajmërojnë se problemet me veshkat dhe sistemin nervor të Navalny-t sugjerojnë që ai do të vdiste nëse greva e urisë vazhdon edhe për pak më shumë.

Mjekët thonë se Navalny duhet “të ndalojë menjëherë grevën e urisë për të ruajtur jetën dhe shëndetin e tij”.

Ata, gjithashtu, po kërkojnë t’i jepet asistencë mjekësore pacientit të tyre.

Autoritetet ruse nuk e kanë komentuar publikisht deklaratën e mjekëve.

“Skeleti që lëkundet rreth qelisë së tij”

Të hënën e 19 prillit, Navalny u transferua në një spital burgu, ku autoritetet pohuan se gjendja e tij ishte “e kënaqshme”.

Shërbimi i burgut FSIN shtoi se ai po mbikëqyrej çdo ditë nga një mjek dhe kishte rënë dakord të merrte vitamina.

Në një postim në Instagram, në fillim të kësaj jave, Navalny u tha ndjekësve të tij: “Ju do të qeshnit nëse do të më shihnit tani. Një skelet që lëkundet rreth qelisë së tij”.

Vendet perëndimore thonë se Navalny u helmua me një agjent nervor gushtin e kaluar dhe mbijetoi për pak. Pas transferimit të tij në kujdesin intensiv në Berlin, toksikologët arritën në përfundimin se helmi ishte Novichok i shkallës së armëve ruse.

Perëndimi fajësoi shtetin rus për sulmin dhe Navalny akuzoi drejtpërdrejt presidentin Vladimir Putin. Kremlini mohoi çdo përfshirje dhe kundërshtoi përfundimin rreth Novichok-ut.

Navalny u burgos në shkurt, për shkelje të një dënimi me kusht për mashtrim në 2014-n. Ai thotë se çështja është e motivuar politikisht.

SHBA-të kanë paralajmëruar Rusinë se do të ketë “pasoja” nëse Navalny vdes në burg.

Përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore