Bota

SHBA/Rusia do të përballet me pasoja nëse Navalny vdes


Një furgon policie duke mbajtur liderin e opozitës ruse Alexey Navalny, shoqërohet nga automjetet e policisë ndërsa arrin në gjykatën e rrethit Babushkinsky para fillimit të gjyqit në Moskë, Rusi, 20 shkurt 2021

SHBA-ja ka paralajmëruar Rusinë se do të ketë pasoja nëse aktivisti i opozitës Alexei Navalny vdes në burg.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre për trajtimin e tij.

Mjekët e Navalny-t thonë se ai “do të vdesë brenda ditëve të ardhshme” nëse nuk i jepet kujdes urgjent mjekësor për dhimbje akute të shpinës dhe mpirje të këmbëve.

Ambasadori rus në MB ka thënë se Navalny po kërkon vëmendje dhe “nuk do të lejohet të vdesë në burg”.

Kritiku i shquar i presidentit Vladimir Putin, Navalny, 44 vjeç, u burgos në shkurt për akuza tё vjetra të korrupsionit, të cilat ai pretendon se janë të motivuara politikisht.

Ai filloi një grevë urie në 31 mars, si njё protestë pёr faktin se nuk u lejua tё shihte ekipin e tij mjekёsor. Rezultatet e fundit të testit të gjakut treguan se ai mund të pësojë njё dështim të veshkave dhe të pёsojё njё arrest kardiak në çdo moment.

Një numër vendesh u bashkuan nё protestën ndërkombëtare kundër trajtimit të Navalny brenda burgut rus në qytetin Pokrov, rreth 100 kilometra në lindje të Moskës.

Këshilltari i sigurimit kombëtar amerikan, Jake Sullivan, tha pёr CNN se priten “pasoja nëse Navalny vdes” dhe Rusia do të “mbahej përgjegjëse nga bashkësia ndërkombëtare”.

Trajtimi i tij mjekësor ishte “krejtësisht i padrejtë dhe i papërshtatshëm”, tha presidenti Joe Biden.

SHBA-tё janë përfshirë tashmë në një mosmarrëveshje diplomatike me Rusinë, rreth helmimit gati fatal të Navalnyt vitin e kaluar.

Kremlini mohon pretendimet e Navalnyt se presidenti Vladimir Putin urdhëroi sulmin.

Megjithatë, zyrtarët e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se qeveria e Moskës ishte prapa helmimit, duke bërë që administrata e Biden-it të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë.

Udhëheqësit e BE-sё pritet të diskutojnë situatën të hënën. Josep Borrell, diplomat i lartë i bllokut, tha se BE-ja ishte “thellësisht e shqetësuar” dhe bëri thirrje që autoritetet e burgut të lejojnë menjëherë hyrjen në ekipin mjekësor të Navalnyt.

Zyra e Jashtme e MB-së tha në një deklaratë se Navalny duhet t’i jepet akses i menjëhershëm në kujdesin e pavarur mjekësor. Ne përsërisim thirrjen tonë për lirimin e tij të menjëhershëm nga burgimi i tij i motivuar politikisht.

Vajza 20-vjeçare e Navalnyt, Daria Navalnaya, e cila studion në Kaliforni, shkroi “lejo një mjek të shoh babanë tim” në Twitter.

Gruaja e Navalny, Yulia, tha se ai kishte humbur nëntë kilogramë që nga fillimi i grevës së tij.

Mbështetësit e Navalny në Rusi po organizojnë një protestë mbarëkombëtare të mërkurën, duke thënë “ka rrethana në të cilat ju duhet të veproni shpejt, përndryshe do të jetё e pariparueshme”.

Të premten, katër mjekë u shkruan zyrtarëve të burgut për të kërkuar leje për të parë Navalnyn urgjentisht, duke thënë se kaliumi i tij kishte arritur “nivele kritike”.

Alexander Polupan, i cili trajtoi Navalnyn pasi u helmua me Novichock vitin e kaluar, tha se rezultatet e testit të gjakut ishin një “tregues absolut” se ai kishte nevojë për kujdes urgjent mjekësor ose do të “vdiste brenda ditëve të ardhshme”.

Mjekja e tij personale, Anastasia Vasilyeva, e cila është arrestuar më parë për protesta jashtë burgut të Navalny-t, shkroi në Twitter se ajo dhe tre mjekët kishin “qëndruar për dy orë dhe ishin lutur” që të lejoheshin në burg, por atyre iu refuzua hyrja.

Gjithashtu, thirrjes për veprim i janë bashkuar më shumë se 70 shkrimtarë, artistë dhe akademikë të njohur, të cilët kanë nënshkruar një letër duke i bërë thirrje Presidentit Putin të sigurojë që Navalny të marrë kujdesin e duhur mjekësor.

Letra u botua në “The Economist” dhe gazeta “Le Monde” e Francës dhe përfshinte nënshkrimet e aktorëve të Hollivudit Jude Law, Ralph Fiennes dhe Benedict Cumberbatch, autorit të Harry Potter JK Rowling dhe regjisorit Ken Burns.

Në një intervistë me Andrew Marr, ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar, Andrei Kelin, tha se Navalny nuk ishte në rrezik.

“Sigurisht që ai nuk do të lejohet të vdesë në burg, por unë mund të them se Navalny sillet si një huligan duke shkelur çdo rregull. Ai po pёrpiqet tё tёrheq vёmendjen”, tha Andrew Marr.

Navalny u arrestua më 17 janar, pas kthimit të tij në Moskë nga Gjermania. Aty, ai kaloi pesë muaj të vështirë rikuperimi, pas helmimit që iu bë me një agjent të fuqishëm kimik, të quajtur Novichok.

Navalny ka qenë zëri kryesor i presidentit rus Vladimir Putin, që prej vitit 2013. Disa herë, ai ka ngritur protesta të mëdha në gjithë vendin siberian, ku nuk kanë munguar as përleshjet.

Ndërkombëtarët e kanë dënuar ashpër arrestimin e Navalny-t dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore