Lajme

“Albin Kurti, po u bie borive të luftës”


Albin Kurti dhe Petar Petkoviç

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, sipas të ashtuquajturit drejtor i “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nuk di asgjë tjetër përveç të bie borive të luftës, duke këmbëngulur se më 1 shtator do të fillojë me të vërtet implementimin e vendimit të Qeverisë së tij për targat dhe reciprocitetin me kartat e identitetit.

“Albin Kurti nuk di gjë tjetër përveç kërcënimeve dhe shantazhit, një gjë e tillë dëshmohet nga deklarata e tij e fundit, ku konfirmoi edhe njëherë se dëshiron konflikt dhe se i pëlqen të flasë për luftë çdo ditë”, ka pretenduar Petkoviç.

Sipas Petkoviç, dëshira e Beogradit dhe e ndërkombëtarëve ishte që Kurti të heqë dorë nga reciprociteti, megjithatë në argumentimin e tij të cekët, Petkoviç ka anashkaluar faktin se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identitetit nuk është pezulluar, por është shtyrë për një periudhë 1 mujore.

“Në vend të formimit të Asociacionit, Kurti vazhdon me planet e tij militante, qëllimi përfundimtar i të cilit është dëbimi i popullit serb nga Kosova”.

Për Petkoviç, targat ilegale me akronime “KM”, “PZ”, “PR” e të tjera nuk janë targa të mbetura nga koha e Millosheviçit, e as kartat e identitetit nuk janë të paligjshme siç pretendon Kurti, por janë “asete të shtetit të Serbisë”.

“Serbët do të vazhdojnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin si dhe do të ruajnë mbijetesën e tyre me të drejtat e garantuara të cilat Albin Kurti nuk mund t’i nëpërkëmbë”, ka supozuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore