Lajme

“Albin Kurti po na diskriminon për inat” – Kurti la Skenderajn pa asnjë cent e Suharekën me veç 100 mijë euro


Foto: Albanain Post

Ndarja 59.5 për qind e investimeve kapitale nga Qeveria e Kosovës për e komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje  – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime – ka ngjallur pakënaqësi tek kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Disa komuna, si ajo e Skenderajt, nuk kanë përfituar asnjë cent të vetëm nga këto investime dhe për nënkryetarin e kësaj komune, Sami Lushtaku, kjo s’është asgjë tjetër përveçse “hakmarrje ndaj drenicasve”.

“Albin Kurti është një kryeministër inatgji. Pasi i ka humbur zgjedhjet komunale bindshëm – është duke iu hakmarrë Drenicës. Jemi mësuar me hakmarrje, kështu na ka bërë edhe Serbia, kështu po vepron edhe Kurti”, tha Lushtaku për Albanian Post.

Përveç se nuk ka ndarë para për projekte të reja, Lushtaku tregon se qeveria ia stopoi edhe ato që tashmë ishin vendosur të bëheshin, siç është rasti me ujësjellësin.

“Projekti i ujësjellësit ka qenë çështje e kryer, të gjitha procedurat janë kryer para katër viteve, por ku ka ardhur në pushtet Kurti e ka ndalë. Serbia nuk na ka ndalë as ujin as rrymën. Drenica problemin më të madh e ka furnizimin me ujë”, ka shpjeguar ai.

Ndryshe nga Skenderaj, komunës së Suharekës që udhëhiqet nga AAK-ja i janë ndarë, por vetëm 100 mijë euro.

Për krahasim, komunës së Shtimes që udhëhiqet nga Vetëvendosja e që është shumë më e vogël se Suhareka iu ndan mbi 2.7 milionë euro – më shumë edhe se Prishtinës.

Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, thotë me ironi se në Suharekë jetojnë edhe qytetarë që janë votues të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk duhet të ketë dallime në buxhet, edhe në Suharekë ka qytetarë që janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, do gjejmë metoda tjerë, do mbledhin të hyra vetanake më shumë për t’i realizuar projektet që i kemi nisur. Nuk jam ankuar asnjëherë”, potencoi Muharremaj.

Ai shtoi se buxheti i Kosovës është dashur të ndahet në bazë numrit të banorëve dhe jo një komunë më e vogël se Suhareka të marrë mjete më shumë.

“Ne do të vazhdojmë të punojnë, ne ishim të fundit, në listë, por ne do të dalim të parët në çdo aspekt, do e shihini”, u shpreh ai.

Edhe për kryetarin e komunë së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamzën, prejse është emëruar kryeministër Albin Kurti, komunat që nuk udhëhiqen nga LV-ja “janë diskriminuar” sa i përket ndarjes së buxhetit.

Komunat përveç vështirësive tjera që i kanë në funksionimin normal të tyre, po përballen edhe me vështirësi shtesë edhe si rezultat i një mungese të një komunikimi të nevojshëm institucional. Gjatë tri viteve të fundit e kemi pasur një shpërndarje të padrejtë të mjeteve nga Qeveria për komunat”, pohoi Hamza për AP.

Megjithatë, ai nënvizon se nuk do të ndalet për t’i realizuar projektet që i ka nisur, derisa tregon se do angazhohet më shumë për të fituar grante, meqë Qeveria nuk po i shpërndan mjetet siç duhet.

“Ne tani jemi fokusuar në fitimin granteve të donatorëve të ndryshëm, ne jemi duke i realizuar objektivat tona, por realisht nuk kemi ende ndonjë projekt që është finalizuar si rezultat të investimit të nivelit qendror”, theksoi ai.

Ndryshe, Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Qeveria aprovoi Projektbuxhetin 2024 më 31 tetor 2023, ndërsa Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 16 nëntor 2023.

 

GAP: Qeveria e Kosovës ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore