Kosova

Albin Kurti po dëshiron “t’i lajë duart” për Asociacionin si Ponc Pilati


Ilustrim

Deklaratat diametralisht të kundërta dhe absurde të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në raport me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin vetë e pranoi duke e konsideruar atë si “shumë të avancuar” e në përputhje “me germën e Kushtetutës”, ndërsa tash si një “non-paper” e një dokument “pa logo, e pa vulë” duhen lexuar si “ekzibicione të qëllimshme” sa për të blerë kohë e për ta shmangur “ditën e gjykimit përfundimtar”.

Qëndrimi skajshmërisht kundërthënës i Kurtit në raport me draft-statutin i cila u përgatit nga Bashkimi Evropian me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, tregon vetëm një gjë – i pari i Qeverisë s’është kundër Asociacionit, por kundër që të marrë përgjegjësinë vetë për themelimin e këtij mekanizmi.

“Pra, është në kërkimi të një aktori tjetër, që do ta marrë mbi vete këtë barrë. Në mënyrë që Kurti të arsyetohet para opinionit”, argumenton Kasolli.

Për këto qëndrime të Kurti, analisti politik, e krahason atë me Ponc Pilatin – guvernatorin e pestë të provincës romake të Judesë – i cili i kishte larë duart pas gjykimit të Jezusit.

“Krejt qëllimi i këtyre odisedave të Kurtit është si t’i laj duart si Ponc Pilati. Madje ne mënyrë të tërthortë një gjë të tillë Kurti ia ka kërkuar publikisht edhe presidentes Osmani, por si duket ajo nuk ka pranuar ta luaj këtë rol”.

Priftërinjtë hebrenj mbi 2 mijë vjet më parë e kishin kapur Jezusin, të cilin e sollën përpara guvernatorit romak të provincës së asaj kohe, Ponc Pilatit, për ta dënuar si heretik, i cili predikonte “gënjeshtra” në emër të Zotit.

Në vlerësimin e Pilatit, Jezusi nuk përbënte rrezik për Romën, por nga ana tjetër ai nuk donte të prishte marrëdhëniet me priftërinjtë e hebrenjve.

Kështu ai e nxori nga burgu Barabën – një hajdut dhe kriminel ordiner – dhe mblodhi një turmë qytetarësh para pallatit të tij, duke vendosur Barabën dhe Jezusin krah për krahë.

Ai iu drejtua turmës duke e pyetur se cilin nga këta të dy do të dëshironin ta falnin.

Turma e zgjodhi Barabën.

Pilati i sigurt me manovrën e tij se zhvendosi përgjegjësinë kryesore për kryqëzimin nga romakët te hebrenjtë, kërkojë ujë për t’i larë duart, duke e lënë një trashëgimi të thënies “i lau duart si Pilati”.

Se Kurti do e formojë Asociaiconin, njëjtë si i fali tokat Manastirit të Deçanit, por që në këtë fazë po dëshiron të blejë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, e thotë ligjëruesi universitar, Dritëro Arifi.

“LVV, kur do që të mbahen zgjedhjet e ardhshme e jashtëzakonshme apo të rregullta po dëshiron ta ketë në dorë një kartë të fuqishme që t’i thotë qytetarëve ‘që ja ne nuk e pranuam draft statutin’, në njëfarë mënyrë një politikë populiste, sepse në momentin që do të vijnë në pushtet, në mandatin e dytë, ata do ta zbatojnë gjithçka që është dakorduar në Bruksel”, thotë ai për Albanian Post.

Arifi kujton kohën kur Kurti e kishte pranuar draft-statutin modern evropian duke potencuar se në atë fazë ekzekutivi “ishte në qiellin e shtatë duke e glorifikuar vetveten”.

“Mirëpo tash së fundmi ka një refuzim shumë të fuqishëm që nuk e pranojmë një ‘non paper’, pra kemi të bëjmë me një kundërthënie, kjo tregon se kemi të bëjmë me një Qeveri adoleshente, të paditur, të papjekur e të pamatur”, shton ai.

Më 21 tetor të vitit të kaluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, iu dorëzua draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i përpiluar nga Bashkimi Evropian. Një javë më pas më 26 tetor në një takim me tre liderët kryesor të BE-së – Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u kuptua që kryeministri e kishte pranuar këtë dokument me të cilin do të procedohej tutje.

Se draft-statuti modern evropian ishte pranuar nga Kosova e kishte thënë vetë Kurti në një seancë maratonik të Kuvendit të Kosovës më 3 nëntor të po këtij viti.

Në një ekspoze të gjatë shefi i ekzekutivit e kishte shpjeguar në detaje se si u bë që Kosova pranoi këtë dokument.

“Kur mu tha mua nga krerët evropian se situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thash prisni pak. Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit unë e kam pranuar nëse dëshironi në paketë le ta bëjmë. Dhe unë e pranoj si pjesë të paketës”, thoshte Kurti asokohe.

Ai madje këtë draft-statut e cilësonte si “të mirë” dhe “pakrahasimisht më të avancuar” dhe garantonte se nuk është “Zajednica” e vitit 2013 e 2015.

“Dokumenti më dha përshtypjen e një iniciativë më serioze që nuk e kisha takuar më parë. Njëjtë për nga rëndësia më bëri përshtypje fakti që zyrtarë të lartë ishin marrë me tekstin e statutit. Më thanë se hartimin e kanë bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe më thanë se është në përputhje me Ligjet e Kosovës”, deklaronte Kurti.

Për Kurtin drafti evropian ishte shkruar me kujdes për “germën e Kushtetutës”.

“Kjo qartazi nuk është Zajednicë, Nga sa kam parë shkrimi është me kujdes për germën sesa për frymën e Kushtetutës. Gjatë bashkëbisedimit aty është theksuar nevoja e urgjencës gjeopolitike”, argumento ai.

Drafti modern evropian, shpjegonte Kurti, në vlerësimin e tij politik “ndërpriste trashëgimin e mos-njohjes” së Serbisë, që sipas tij “ishte çimentuar në marrëveshjet paraprake”.

“Në vlerësimin tim politik bëhet e qartë që mekanizimi që do të themelohet do të ketë karakter bashkëpunues. Nuk ndërhynë në kompetenca të askujt. E mbyll hapësirën e Serbisë që t’u projektojë të ardhme jashtë Kosovës. Drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa”.

7 muaj më pas, Kurti në mënyrë krejt kundërthënëse dhe absurde, në një intervistë për A2 CNN, tha se për Qeverinë e Kosovës ky draft-statut modern evropian nuk është asgjë tjetër përveç se një “non-paper”.

“Është një dokument punues që nuk ka as logo as vulë as nënshkrim, nuk mundemi ne një non-paper ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.

Ai madje shpjegoi se i kishte ofruar ndërkombëtare një rrugëdalje që në vlerësimin e tij “është më e logjikshmja dhe racionalja” në situatën ku ata insistojnë në draftin që tashmë e quan të “Lajçak-ut”.

“Dërgojeni në një instancë ndërkombëtare mund të jenë juristët eminentë të Këshillit të Evropës mund të jetë Komisioni i Venedikut, por jo në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, shtonte ai.

Me konstatimin se ky draft nuk është vendor, Kurti potencoi se në Gjykatë Kushtetuese “ne dërgojmë dokumente që janë vendore”.

“Një dokument ndërkombëtar le të shkoj le të testohet në një instancë ndërkombëtare”, përsëriti ai.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Një zotim i tillë u shpërfilli nga Këshilli i Evropës, ndërkohë Zyra e Presidentes reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se ky institucion nuk u konsultua paraprakisht për letrën e dërguar.

Pas dështimit të anëtarësimit në KiE, Gërvalla në një konferencë për media njoftoi se oferta e Kosovës për Asociacionin nuk vlen më, ndërkohë që Kosova humbi shansin për t’u anëtarësuar në një organizatë ndërkombëtare duke mos e dërguar draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese, i cili 7 muaj më parë ishte cilësuar si i mirë e pakrahasimisht më i avancuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore