Muzikë

Alban Ramosaj rrëmben vendin e parë në “Këngën Magjike 2021”


Ka përfunduar edicioni i 22-të i festivalit shqiptar – “Kënga Magjike 2021”, fitues i së cilit u shpall këngëtari Alban Ramosaj me performancën e këngës së tij “Thikat e mia”.

Fotografi e shkrepur gjatë performancës së Albanit në “KM”.

Një performancë e jashtëzakonshme me një paraqitje të veçantë dhe shumë emocione brenda ishte interpretimi i fuqishëm që Ramosaj solli për publikun në skenën e madhe të “Këngës Magjike”.

Momentet e fitores së Alban Ramosaj.

Ramosaj çmimin e të parit e pranoj nën emocione e lot dhe u shpreh shumë falënderues për vlerësimin nga juria dhe publiku teksa u ftua në skenë nga prezantuesit e sivjetmë të spektaklit, Marsela Çibukaj dhe Ardit Gjebrea.

Ndryshe nga vitet e kaluara kur në këtë festival ndaheshin çmime të ndryshme, këtë herë “Kënga Magjike” ka ndarë vetëm tri nga to, atë të; “Çmimi i madh – vendi i parë”, “Best New Artist” dhe “Best Big International Artist”.

Në kategorinë e “Best New Artist” çmimin e rrëmbeu rok grupi “Urban Band” me këngën e tyre të tilluar “Edhe një natë”, ndërsa në kategorinë “Best Big International Artist” ka triumfuar artistja nga Gjeorgjia, Nutsa.

Nutsa fitoi zemrat e jurisë dhe të publikut me paraqitjen e saj me këngën “We are one”, teksa është shquar edhe për potencialin vokalistik.

Ndërsa, juria profesionale e festivalit për këtë edicion gala ishte e përbërë nga; Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Në garën e festivalit për triumf të vendit të parë ishin konkurrentë edhe shumë artistë të tjerë të cilët gëzojnë popullaritet të madh në publik, përfshirë këtu dyshen e famshme, Flori Mumajesin dhe Klajdi Harunin, Soni Malaj, Eneda Tarifaj e Fifi me Brunon.

Në edicionin e fundit të “Këngës Magjike”, mbajtur në vitin 2019, fituese u shpall Eneda Tarifa me këngën “Ma Zgjat Dorën”, ndërsa festivali nuk është realizuar vitin e kaluar për shkak të situatës pandemike me Coronavirus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore