Sport

Al-Khelaifi “sulmon” Superligën Evropiane dhe tregon pesë prioritetet e ECA


Presidenti i PSG-së dhe njëkohësisht kreu i Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA), Nasser Al-Khelaifi, ka folur në mbledhjen e shoqatës të mbajtur në Gjenevë ditën e hënë.

Al-Khelaifi ka goditur klubet që synonin të formonin Superligën Evropiane dhe vuri në dukje dështimin e tyre për ta bërë projektin e suksesshëm.

Ndër të tjera, kreu i ECA tha se UEFA ia doli të ishte fituese nga kjo mosmarrëveshje dhe “sulmoi” tre klubet që ende nuk e kanë braktisur projektin.

“Unë nuk do të kaloj shumë kohë duke folur për 18 prillin dhe Superligën, jo, sepse nuk më pëlqen të përqëndrohem te fabulistët dhe dështimet”, tha Al-Khelaifi, kreu më i ri i ECA, vend të cilin e mori pas dorëheqjes së Andrea Agnelli-t, presidentit të Juventus-it dhe një nga tre presidentët që ende besojnë te krijimi i Superligës, së bashku me Joan Laporta-n e Barcelona-s dhe Florentino Perez-in e Real Madrid-it.

“Së bashku ne mbrojtëm interesat e futbollit evropian për të gjithë. Ne u mbështetëm në vendosshmërinë dhe forcën e presidentit (të UEFA, Aleksander Ceferin), i cili qëndroi në këmbë ndaj grushtit të shtetit në mesnatë”.

“Ai (Ceferin) tha ‘do të fitojmë’ dhe e bëmë”, vijoi Al-Khelaifi, duke shtuar se “Ndërsa tre klubet rebele humbin energji, shtrembërojnë rrëfimet dhe vazhdojnë të ulërasin në qiell, ne të tjerët po ecim përpara”.

Më tej, kreu i ECA vijoi të fliste për atë çka duhet bërë nga shoqata për të rregulluar situatën e vështirë financiare të klubeve në Evropë.

“Prioriteti i parë është të sjellë stabilitet urgjent financiar në futbollin evropian”, tha Al-Khelaifi. “Edhe para COVID-it, shumë probleme financiare prekën futbollin”.

“Prioriteti ynë i dytë është t’i bëjmë marrëdhëniet e ECA më të forta në të gjitha familjen e futbollit, veçanërisht me UEFA”.

“Prioriteti i tretë është që ECA të punojë më mirë për anëtarët e saj, të sigurojë burime të vlefshme për klubet. Ne duhet të pyesim veten, çfarë duhet të sigurojë ECA për anëtarët e saj? Për mua, tani për tani, jo mjaftueshëm. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Shtylla e katërt është se diversiteti dhe përfshirja duhet të jenë në thelbin e ECA së re. Kjo mund të jetë një nga fuqitë tona më të mëdha të mundshme, por aktualisht ne jemi duke dështuar”.

“Së fundmi, një përparësi që disa njerëz mendojnë se është e padukshme, por duhet të jetë e dukshme në gjithçka që bëjmë, shpirti dhe vlerat themelore të organizatës sonë dhe futbollit evropian”, përfundoi kreu i ECA, Al-Khelaifi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore