Shqipëria

Akuzat ndaj të vëllait, Rama i quan ‘haluçinante’


Sipas kryeministrit Edi Rama, akuzat se vëllai i tij, Olsi, është i përfshirë në çështje të prodhimit dhe trafikimit të drogës, janë thjesht shpifje të bëra nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi.

Ai madje e quajti Bardhin “një çingije që spërdridhet për t’i dhënë kënaqësi padronit të radhës”.

Kreu i Qeverisë, ndër të tjera shtoi se pa Partinë Socialiste, nuk do të kishte reformë në drejtësi dhe stabilitet në punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

“Çfarë mund të bëjë tjetër, çfarë mund të presësh tjetër? Ndërkohë që ana serioze e gjithë kësaj është që pa PS nuk do kishte reformë në drejtësi dhe pa PS, nuk do kishte stabilitet në punën  e SPAK. SPAK-u sot është një organizatë që ka mundësinë të punojë me stabilitet të plotë dhe është i sulmuar vetëm nga një segment i politikës që edhe ata nuk kanë çfarë.. ç’mund të bëjë tjetër për të mbijetuar aq sa mund të mbijetojë dikush që i ka hapësirat të kufizuara”, përmendi ai.

Kryeministri, edhe më parë, i ka komentuar në të tilla tone akuzat ndaj vëllait të tij, Olsit. Teksa, ky i fundit, e ka çuar në SPAK Gazment Bardhin duke e akuzuar atë për shpifje dhe akuza të rreme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore