Shqipëria

Sulmet ndaj SPAK – replika mes Spiropalit dhe Bardhit


Në seancën plenare të 18 prillit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ishte kryefjalë në akuzat mes palëve.

Ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ajo që ironizoi opozitën për dy “baballarët” e saj politikë.

Reagimi i Spiropalit vjen pas deklaratave të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kundër SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumani.

Spiropali theksoi se këto politikanë, të cilët kanë qenë në poste si kryeministra dhe presidentë, përdorin ndaj SPAK dhe kreut të tij një gjuhë “të dalë nga binarët e mendjes”.

“A keni një opinion për dy baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë? Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe njëri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon kreun e SPAK në ekrane ku t’i dalë para”.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i ktheu përgjigje duke u shprehur se “babai i saj i të gjitha drejtimeve është Edi Rama”. Për Bardhin, opozitarët nuk kanë asnjë problem, ndryshe nga qeveria që sipas tij ka ngelur në “dyert e SPAK”.

“Padyshim që babai jot Elisa i të gjitha drejtimeve, Edi Rama, ka qëndrimin që the ti. Kur goditet opozita nga SPAK del dhe bërtet fitore. Ndërsa kur i cenohen oligarkët del edhe me gishtin lart i drejtohet SPAK-ut që kush jeni ju që sekuestroni projektin mafioz të dy oligarkëve”.

Ai u shpreh se opozita “nuk shëtit çdo ditë siç shëtit gjysma e qeverisë suaj në SPAK”.

“Hyn Niko, del Mirela, hyn Taulanti, del Ogerta. Hyn njëri këtej e dil tjetri andej. Jeni bërë çdo ditë ngelët në dyert e SPAK dhe sigurisht që ora e drejtësisë për gjithçka i keni bërë këtij vendi në 11 vite edhe nëse nuk ka trokitur ende, do të ngjitet dhe një kat më lart, në kat të tretë, tek ministrat, tek kryeministri, te kryetarët e bashkisë, tek ish-ministrat padiskutim”.

Spiropali opozitës: Dy baballarët tuaj bërtasin kundër SPAK-ut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore