Shqipëria

Akuza dhe kundërakuza – Si u përfol emri i drejtuesit të Policisë së Shkodrës për lidhje me bandat kriminale


Një interpelancë, e cila pritej të kishte në vëmendjen më të madhe çështjen e mbetjeve toksike në vend, është shndërruar në fakt në një shfaqje/debat me akuza dhe kundërakuza, lidhur me figurën e drejtuesit të Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ndaj të cilit u hodhën disa pretendime shumë të forta për lidhje me bandat kriminale, e deri vendosjen e tij në këtë pozitë prej këtyre të fundit.

“Autori” i këtyre akuzave ishte kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili pavarësisht se foli gjatë në interpelancë edhe për çështjen e mbetjeve në vend, vendosi në qendër të debatit edhe figurën e Sulajt – më herët jo shumë i përfolur publikisht për rolin e tij.

Akuzat e Bardhit lidheshin me disa përgjime të dala në dosjen e SPAK, të njohur si përgjimet nga rrjeti SkyECC dhe Encrochat, ku supozohej se nën nofkën “Mondi”, Sulaj fliste me eksponentë të grupimeve kriminale në Shkodër.

Më tej Bardhi artikuloi edhe se Sulaj është vendosur në këtë pozitë pikërisht prej bandave.

Jo shumë i vonë ishte reagimi i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili e mbrojti publikisht figurën e Sulajt, duke e etiketuar edhe si një “oficer model” në radhët e Policisë së Shtetit.

Kështu përmendi ai gjatë seancës plenare të 12 shtatorit.

“Zotëria ‘Mondi’ është me gradën drejtues i parë dhe mban postin e drejtorit të Policisë në Shkodër. Kam punuar me Edmond Sulajn dhe është një nga oficerët në karrierë, që ka treguar aftësi dhe integritet gjatë gjithë karrierës së tij. Ai ka 27 vite punë. Sulaj ka marrë detyrën në vitin 2023. Sulaj u zgjodh sipas meritës me konkurs”, ka artikuluar Hoxha.

Ndërkohë, vetë Bardhi i është përgjigjur me akuza ministrit, duke e etiketuar atë si një “zëdhënës” të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për një sërë çështjesh.

“Nuk i dija që Pëllumb Gjoka ka shtuar zëdhënësit. Ndryshuat edhe ligjin, për të emëruar kreun e Gardës”, ka thënë Bardhi.

Vetë kreu i Policisë Shkodër nuk e vonoi po ashtu një reagim, ku tha se  të gjitha janë shpifje dhe se do ta kallëzojë penalisht deputetin demokrat.

Në një reagim lidhur me çështjen, Sulaj ka sqaruar opinionin rreth situatës:

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”.

Nga sa kuptohet, asgjë nuk do të mbetet me kaq. Qoftë nga Sulaj, qoftë edhe nga deputeti demokrat Bardhi, i cili duket i vendosur të mbrojë tezën e tij edhe përpara organeve të drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore