Kosova

Aktivizohet Gërvalla, del kundër ministrisë së vet: “S’e di a e kanë vra Faton Hajrizin”


Donika Gervalla dhe Faton Hajrizi

Vetëm dy ditë pasi Ministria e Punëve të Jashtme e konfirmoi vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka “garanci” nëse personi i vrarë është Hajrizi.

“Nuk e kemi asnjë garanci që bëhet fjalë për personin e vrarë. Deri më tani gjithçka çka ka ndodhur në Serbi është në mjegull, nuk mund të iu themi qytetarëve tanë që kemi informacione të sakta”, tha Gërvalla para gazetarëve.

Por, të hënën, ministria që e drejton Gërvalla pati njoftuar se kanë konfirmuar vrasjen e Faton Hajrizit, përmes shenjave të gishtërinjve.

“Autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhej në njoftim.

Kurti: Faton Hajrizi nuk duhet të heroizohet

Ndërsa në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt këtë të mërkurë, kryeministri Albin Kurti, bëri thirrje që Hajrizi të mos heroizohet.

Kurti tha se qytetarët të mos bien pre e “euforisë së heroizimit” dhe romanizimit të Hajrizit, meqë sipas kryeqeveritarit kosovar, patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjë të Zveçanit, e jo Hajrizi.

“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjë të Zveçanit. Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, tha Kurti.

Më 19 korrik, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, theksoi se policia serbe ka vrarë Faton Hajrizin.

Hajrizi po kërkohej nga autoritetet serbe, pasi që më 18 korrik, dyshohej se kishte vrarë një polic serb dhe plagosur një tjetër në Lozincë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Për çka u dënua Hajrizi?

Hajrizi u dënua fillimisht për vrasjen e një ushtari rus kur ishte 15 vjeç, dhe më vonë për disa vepra të tjera penale.

Ai u dënua për një rast të tentim-vrasje, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Më 24 janar të 2008-së, vendimi i dytë gjyqësorë për Faton Hajrizin ishte marrë nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë.

Ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur që sipas gjykatës i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër në vitin 2006 në Skenderaj.

Ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Hajrizin për vrasjen në tentativë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore