Lajme

Aktgjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinaj: Trajtohet çështja e pretendimeve ndaj personave kundër të cilëve nuk është ngritur aktakuzë


Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati në Gjykatën Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë publikuar aktgjykimin në gjuhën shqipe i cili ishte shpallur me 18 maj 2022 ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj.

Në këtë aktgjykim thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza vetëm kundër Gucatit dhe Haradinaj për veprat penale të pretenduara në aktakuzë, ndërsa kërkohet që të trajtohet edhe çështja e pretendimeve ndaj personave kundër të cilëve nuk është ngritur aktakuzë.

“Megjithatë, në pjesë të ndryshme të aktakuzës, ZPS-ja përmend persona të tjerë, të cilët ajo pretendon se kontribuan ose morën pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale, konkretisht: (i) Faton Klinaku (“z. Klinaku”) dhe Tomë Gashi (“z. Tomë Gashi”); (ii) anëtarë ose përfaqësues të tjerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“OVL-UÇK”)”.

“(iii) persona të cilët morën pjesë, shikuan ose u informuan për tri konferencat e shtypit dhe paraqitje të tjera në media, dhe disa përfaqësues të shtypit ose persona që zotëronin ose kishin qasje në informacionin konfidencial (“personat e tjerë”). ZPS-ja u referohet z. Klinaku, z. Tomë Gashi dhe anëtarëve të tjerë ose përfaqësuesve të OVL-UÇK-së bashkërisht si “ndihmës”.

Ndërkaq, sqarohet se dosja paraprake dhe dosja gjyqësore përfundimtare e ZPS-së përmbajnë argumente të hollësishme lidhur me veprimet dhe sjelljet e Klinakut dhe të Tomë Gashit.

Gjykata Speciale.

“Gjatë gjykimit u ngrit tema e përgjegjësisë penale të personave kundër të cilëve nuk është paraqitur aktakuzë, në lidhje me dëshmitarin e ZPS-së (Ë04866), Halil Berisha (“z. Berisha”). Palët shprehën mendimin se z. Berisha nuk kreu asnjë vepër penale me përpilimin dhe publikimin e disa artikujve në lidhje me materialin që mori”, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjithashtu, në deklaratat përmbyllëse sqarohet se trupi gjykues do nxjerr përfundime për personat që përmenden se kontribuan në kryerjen e veprave penale.

“Trupi Gjykues vë në dukje se ZPS-ja nuk ngriti akuza kundër z. Klinaku, z. Tomë Gashi dhe ndonjë ndihmësi tjetër, personave të tjerë ose z. Berisha. Në përputhje me prezumimin e pafajësisë, Trupi Gjykues merr në shqyrtim sjelljen dhe deklaratat e këtyre personave aq sa është e nevojshme për vlerësimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve”.

“Rrjedhimisht, Trupi Gjykues nuk do të nxjerrë përfundime në lidhje me përgjegjësinë penale për asnjërin nga këta persona. Gjithashtu, Trupi Gjykues nuk do të nxjerrë asnjë përfundim në lidhje me përgjegjësinë penale të të akuzuarve nga mendimet e palëve për personat kundër të cilëve nuk është paraqitur aktakuzë”.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore