Kosova

Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte, dyshohet për vrasjen e tre shqiptarëve


Prokuroria Speciale e Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të premten se ka ngritur aktakuzë kundrejt një të pandehuri të nacionalitetit serb për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri i nacionalitetit serb, dyshohet për vrasjen e tre shqiptarëve në Prizren në shtator të vitit 1998.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit M. P. i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës dhe po ashtu i  Serbisë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale – Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se i pandehuri sanksionohet me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, ka marr pjesë në vrasjen e viktimave Reshat Daçaj, Binak Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut”, thuhet në aktakuzë.

Kjo çështje ka kaluar në kompetenca të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme, ndërkaq i pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore