Kosova

Aktakuzë ndaj 25 zyrtarëve komunalë në Pejë, dyshohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”


Prokuroria Themelore e Pejës.

Prokuroria Themelore e Pejës, të martën ka ngritur aktakuzë ndaj 25 zyrtarëve komunale, të cilët dyshohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Ata dyshohen për ndërtim pa leje në komunat që janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Teksa ka theksuar se “në dy vjetet e fundit janë arrestuar 30 zyrtarë” nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

“Në rast se gjykata e shpall fajtor ndonjë nga personat e përfshirë në aktakuzë, pritet edhe rrënimi i objekteve pa leje”, ka thënë Nikçi për AP.

Edhe më 24 shkurt, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve komunalë në Pejë të cilët dyshoheshin se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.

Përmes një konferencë për media prokurorja Lumturije Vuçetaj, kishte thënë se procesi hetimor ndaj tyre kishte filluar tash e dy vjet.

“Pas një procesi hetimor pothuajse 2-vjeçar kanë përfunduar hetimet në çështjen penale kundër zyrtarëve komunalë në komunën e Pejës. Rezultat i hetimit intensiv në koordinim më Policinë e Kosovës ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj 11 personave”.

“Prej tyre 10 zyrtarë komunalë, katër janë drejtorë të drejtorive komunale, 2 udhëheqës të sektorëve të drejtorive përkatëse, 2 inspektorë të ndërtimit, një zyrtar gjeodet, pranë Drejtorisë për kadastër dhe gjeodezi si dhe një gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral të Kosovës”, kishte thënë ajo.

Duke sqaruar se mbi ta rëndojnë akuzat për ndërtimet që janë lëshuar leje në kundërshtim me ligjin, me këmbimin e pronës, me persona fizik dhe juridik dhe konflikt interesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore