Biznes

Aksionet e Amazon-it bien 20%, kompania parashikon shitje të dobëta në fundvit


Aksionet e Amazon-it kanë rënë me rreth 20 për qind pasi kompania ka njoftuar se sezoni i saj i rëndësishëm i blerjeve të festave do të ishte i vakët.

Pasi ka shijuar një rritje fenomenale gjatë pandemisë, Amazon ka luftuar të ulë kostot pasi inflacioni dhe rritja e normave të interesit kanë dhënë ndikimin e vet.

Kompania ka ngadalësuar hapjen e objekteve të reja, ka dhënë me qira disa hapësira magazine dhe ka vendosur një ngrirje të punësimit në disa pjesë të biznesit.

Amazon, për tre muajt e fundit ka raportuar shitje prej 127.1 miliardë dollarësh, më pak se sa prisnin analistët.

Sipas kompanisë, priteshin shitje neto prej 140 miliardë deri në 148 miliardë dollarë në tremujorin e katërt dhe analistët prisnin që shitjet të arrinin në 155.15 miliardë dollarë.

Shefi ekzekutiv Andy Jassy ka thënë se ishte “i inkurajuar nga përparimi i qëndrueshëm që po bëhej në uljen e kostove në rrjetin e përmbushjes së dyqaneve”.

“Do të balancojmë investimet për të qenë më të efektshme pa kompromentuar bastet kryesore afatgjata strategjike. Ajo që nuk do të ndryshojë është përqendrimi në përvojën e klientit”, ka shtuar ai.

Sakaq, rezultatet e Amazon-it kanë ndjekur shifrat zhgënjyese nga rivalët e industrisë.

Çmimi i aksionit të kompanisë mëmë të Facebook-ut, Meta, ka rënë në nivelet më të ulëta shumëvjeçare këtë javë.

Po ashtu çmimet e aksioneve të Alphabet-it dhe Microsoft-it kanë rënë pas parashikimit të rritjes më të ngadaltë të shitjeve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore