Lajme

Aksionet amerikane përjetojnë rënien më të keqe në më shumë se 50 vjet


Aksionet amerikane kanë parë gjysmën e tyre më të keqe të vitit që nga viti 1970, ndërsa shqetësimet shtohen se si hapat për të frenuar inflacionin do të ndikojnë në rritjen ekonomike.

Në gjashtë muajt e fundit, indeksi standard S&P 500 ra me 20.6%, ndërsa indekset e tjera kryesore amerikane gjithashtu ranë ndjeshëm.

Aksionet në Mbretërinë e Bashkuar, Evropën kontinentale dhe Azinë gjithashtu kanë pësuar humbje të mëdha.

Kjo vjen, ndërsa bankat qendrore në mbarë botën po përpiqen të frenojnë kostot e larta të jetesës, me çmimet e mallrave thelbësore, si ushqimi dhe karburantet në rritje.

Disa ekonomistë presin që SHBA, ekonomia e së cilës është më e madhe në botë, të hyjë në një recesion që në fillim të këtij viti, ndërsa normat e interesit vazhdojnë të rriten.

“Nëse Rezerva Federale (Fed) e SHBA-vr vazhdon të rrisë normat, tregu i aksioneve do të reagojë mjaft negativisht”, tha për BBC Dan Wang, krye-ekonomist në Hang Seng Bank China.

Një tjetër indeks i madh i aksioneve amerikane, Dow Jones Industrial Average, ra me më shumë se 15% në gjysmën e parë të këtij viti, rënia më e madhe për periudhën që nga viti 1962.

Në të njëjtën kohë, Nasdaq Composite, i fokusuar në teknologji, humbi pothuajse 30% duke shënuar rënien e tij më të madhe të përqindjes për gjysmën e parë të vitit.

Indekset kryesore të bursave jashtë SHBA-ve, gjithashtu, kanë rënë ndjeshëm këtë vit.

FTSE 250 në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë me më shumë se 20%, ndërsa indeksi Stoxx 600 i Evropës ka rënë me pothuajse 17% dhe indeksi MSCI i tregjeve të Azisë-Paqësorit ka rënë me më shumë se 18%.

Kjo vjen pasi shumë nga bankat qendrore më të mëdha në botë marrin hapa për të ngadalësuar rritjen e kostos së jetesës, duke përfshirë rritjen e normave të interesit.

Në fillim të kësaj jave, bosët e tre prej bankave qendrore më të mëdha në botë paralajmëruan se epoka e inflacionit të moderuar dhe normave të ulëta të interesit kishte përfunduar.

Në një takim vjetor në Portugali, krerët e Rezervës Federale të SHBA-ve, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë thanë se duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të rritjes së çmimeve.

Ata paralajmëruan gjithashtu se masat për të frenuar një goditje inflacioni të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe pandemia mund të kenë një ndikim të rëndësishëm negativ në rritjen globale.

“A ka rrezik që të shkojmë shumë larg? Sigurisht që ka një rrezik, por unë nuk do të pajtohesha se është rreziku më i madh për ekonominë”, tha kryetari i Fed-it, Jerome Powell.

“Gabimi më i madh për t’u bërë, le ta themi kështu, do të ishte dështimi për të rivendosur stabilitetin e çmimeve”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore