Lajme

Aksion në Veri kundër barnave të kontrabanduara


Barnatore në Veri.

Dogana dhe Policia e Kosovës, janë duke kryer kontrolle në disa barnatore në Veriun e Kosovës, të enjten.

Lajmin e ka konfirmuar Dogana e Kosovës, e cila ka thënë se aksioni është duke u zhvilluar në dy barnatore në Zveçan dhe Zubin Potok.

“Këtë informatë [për dyshimet për barna të kontrabanduara] Dogana dhe Policia e kanë pranuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës”, thanë nga Dogana për Radio Evropën e Lirë.

Kurse, zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, pohoi se kontrollet janë duke u kryer edhe në Mitrovicë të Veriut.

“Policia e Kosovës ka ndihmuar Doganën, operacioni i bastisjes në Zveçan ka përfunduar”, ka deklaruar ai.

Në Mitrovicë të Veriut, kontrollet janë kryer në barnatoren “Oreol”, ndërkaq në Zveçan në një objekt për shitjen e mallrave me shumicë, mëson Radio Evropa e Lirë.

Kurse është raportuar se në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Më 7 mars në Veri, po ashtu janë mbyllur barnatore të tjera në afërsi ku ndodhi aksioni i Doganës së Kosovës.

Në 2020-në, inspektorati kishte kontrolluar barnatoret në këtë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore