Aksion i madh i policisë në Suharekë, konfiskohet qindra kg drogë

SHFLETO

Ilustrim

 

Valon Rashiti
16.02.2022 19:04
Loading Icons...

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë për Albanian Post se është zhvilluar një operacion i madh anti-drogë në fshatin Shirokë të Suharekës dhe janë konfiskuar qindra kilogramë drogë të llojit marihuanë.

Por, ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij aksioni.

“Në ora 20:00 do të ketë një konferencë për media nga Prokuroria e Shtetit”, tha ai për AP.

Ndryshe, Policia e Kosovës apo më saktësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikut të Narkotikëve, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj të koordinuara me Prokurorinë Themelore për Krimet e Rënda në Prizren, me datën nëntë shkurt rreth orës 20:20 pas një operacioni taktik në fshatin Konushevcë të komunës së Podujevës ka konfiskuar 91 kilogramë lëndë narkotiket të tipit marihuanë.

“Hetuesit policor fillimisht kanë monitoruar paraprakisht të gjitha lëvizjet e të dyshuarave me veturën e tyre dhe kanë dhënë urdhër që vetura i dyshuar të ndalet”, pati thënë Major Reshat Murseli në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Narkotikëve, të dyshuarit me vepra kriminale nga e kaluara nuk e kanë përfillur urdhrin policor për ndalje por, përkundrazi kanë rritur intensitetin e tyre të lëvizjes me veturë me tabela gjermane duke kanosur dhe rrezikuar jetën e policëve.

Gjatë ikjes, vetura ka goditur një hetues policor, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe i janë shkaktuar dëme materiale veturës. Kjo kanosje e zyrtarëve policorë ka detyruar këta të fundit që të përdorin edhe armën e zjarrit ku me ç’rast kanë shkrepur dy plumba në drejtim të dyshuarve.

“Ndërsa vetura është ndaluar i dyshuari braktis veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur. Në veturë brenda saj policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë mbi 91 kilogramë”, kishte njoftuar policia në konferencë.