Aksident në Klinë, lëndohen 3 persona

SHFLETO

Ilustrim

 

Sahide Brati
24.06.2024 19:37
Loading Icons...

Nga një aksident trafiku në fshatin Drenoc të Klinës janë lënduar tre persona.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ku ka njoftuar se në aksident kanë qenë të përfshira tri vetura.

“Sot rreth orës 17:00, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Drenoc-Klinë. Në këtë aksident ishin të involvuara tri vetura, dhe si pasojë e këtij aksidenti 3 persona kanë pësuar lëndime trupore”, ka thënë Rugova.

Këta persona të lënduar theksohet se janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor.

Ndryshe, katër aksidente trafiku janë raportuar se kanë ndodhur brenda një dite në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Në njërin nga këto aksidente i cili kishte ndodhur të shtunën në Fushë Kosovë, ka vdekur një person, ku kishin qenë të përfshira pesë vetura.

Përpos kësaj, një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur në Mitrovicë të Jugut, të dielën, ku një person ka vdekur nga ky aksident.

Një aksident tjetër ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut, ku ishin të përfshira dy vetura.

Më tej, potencohet, se në Zveçan, të dielën, ndodhi një aksident, ku nuk kishte të lënduar, por vetëm dëme materiale.