Dy persona të vdekur nga aksidentet në trafik

SHFLETO

Ilustrim.

 

Sahide Brati
24.06.2024 9:53
Loading Icons...

Katër aksidente janë raportuar se kanë ndodhur brenda një dite në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Në njërin nga këto aksidente i cili kishte ndodhur të shtunën në Fushë Kosovë, ka vdekur një person, ku kishin qenë të përfshira pesë vetura.

“Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident njëri prej drejtuesve të automjeteve të përfshira në aksident viktima mashkull kosovar me datën 23.06.2024 rreth orës 13:30 ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në raport.

Personat e tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marr ndihmë mjekësore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Përpos kësaj, një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur në Mitrovicë të Jugut, të dielën, ku një person ka vdekur nga ky aksident.

“Është raportuar se ka ndodhur një aksident trafiku në mes dy veturave dhe një motoçiklete me vozitës meshkuj kosovar, ku përveç dëmeve materiale lëndime trupore merr viktima mashkull kosovar motoçiklisti dhe i njëjti nga plagët  e rënda ndërron jetë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e tij”, thuhet në raport.

Tutje, njoftohet se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një aksident tjetër ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut, ku ishin të përfshira dy vetura.

“Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale lëndime trupore ka pësuar drejtuesja e njërës nga veturat dhe dy pasagjerë të veturës tjetër të gjithë kosovar. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë hetuar rastin”, theksohet nga PK-ja.

Më tej, potencohet, se në Zveçan, të dielën, ndodhi një aksident, ku nuk kishte të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“I dyshuari mashkull kosovar deri sa ishte duke e drejtuar veturën nga mos mbajtja e distancës godet veturën e viktimës mashkull kosovar, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”, tregohet në raport.

Rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq, në Lipjan, një person është gjetur pa shenja jete të dielën.

Sipas njoftimit të PK-së, viktima është gjetur nga fqinja e tij në shtëpinë e tij.

“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, është njoftuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e rastit”, njoftohet tutje nga PK-ja.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.