Kosova

Aksident me fatalitet në Mitrovicë, vdes një person  


Ilustrim

Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, të dielën ka njoftuar se si pasojë e një aksidenti të rëndë të trafikut një person ka humbur jetën në rrugën nacionale Mitrovicë – Leposaviq.

Aksidenti, sipas Policisë së Kosovës, ka ndodhur rreth orës 16:40, ku të përfshirë kanë qenë tri automjete – një veturë, një kamionetë dhe një motoçikletë.

“Si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident ka humbur jetën motoçiklisti. Ndërsa lëndime ka pësuar edhe një person tjetër i cili po trajtohet ne Spitalin Rajonal në Mitrovicë”.

Njësitet përkatëse policore, sipas Policisë së Kosovës, kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet për aksidentin.

Ndërkohë të dielën të paktën edhe gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur në fshatin Sllagrazhd të Suharekës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur mes dy veturave rreth orës 12:05.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore