Lajme

Akoma pa qendra të votimit për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri


Foto nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), akoma nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

Qendrat alternative si dhe stacionet policore janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit, në të kaluarën ishte votuar në shkolla mirëpo kësaj here shanset duken të ulëta për të votuar.

Ish kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli në një bisedë për Radio Evropa e Lirë thanë se mocaktimi i Qendrave të Votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet.

“Nëse gjendja në veri është e tillë, që ende vendvotimet nuk janë caktuar, ende aspekti teknik nuk është marrë në duart e atyre që quhen komisionarë, udhëheqës të vendvotimeve, unë jam skeptik”, thotë Merovci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Cakollit, KQZ-ja shumë shpejt duhet të publikojë lokacionin e qendrave të votimit, në në mënyrë që të informohen votuesit se ku mund të votojnë.

“Më e rëndësishmja është publikimi i qendrave të votimit. Ende nuk dihet se cilat do përdoren për qëllim të zhvillimit të procesit të votimit. Janë përmendur modalitete të shumta, si qendra alternative apo votim në stacione policore, e të tjera”, thotë ai.

Ai shton se mosaplikimi i Listës Serbe në këto zgjedhje do të ndikojë në legjitimitetin që do të kenë institucionet e reja.

“Efektivisht do ta kenë të pamundur ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Madje për të thjeshtësuar maksimalisht, besoj se do kenë vështirësi të kenë qasje në objekte komunale, e lërë më të arrijnë të ofrojnë shërbime, të miratojnë buxhete apo diçka tjetër të kësaj natyre”, shprehet Cakolli.

Kurse, Merovci pohon se pjesëmarrja është vullnetare, por rezultati i zgjedhjeve nuk mund të jetë efektiv.

“Ne po flasim për legjitimitetin ‘popullor’, kur nuk marrin pjesë ata që banojnë aty, atëherë politikisht si zgjedhje nuk tingëllojnë mirë si aktivitet”, shprehet ai.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Osmani më tej kishte bërë të ditur se ka pranuar një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut në pjesën Veriore të vendit.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, tani zgjedhjet do të mbahen me 23 prill.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Katër kryetarët e komunave veriore dorëheqjen e tyre e kishin dhënë të dielën e gjashtë nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore