Kosova

Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE-së në Kosovë


Aivo Orav

Aivo Orav do të jetë ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të premten Këshilli i BE-së ka vendosur Orav-in në postimin e përfaqësuesit të posaçëm të Unionit në Prishtinë.

Nga BE kanë bërë me dije se ai do ta marrë detyrën nga 1 shtatori, ndërsa mandati i tij fillestar do të jetë 2 vite.

“Orav do të ketë rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila bashkëpunon me rajonin. Ai po ashtu mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në”, ka theksuar BE-ja.

Ai, sipas Unionit, do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në fushën politike, ekonomike dhe prioritetet evropiane.

Në këtë pozitë, Orav do ta zëvendësojë Tomas Szunyog, që ka qenë në këtë post që nga viti 2020.

Orav është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE.

Ai ka shërbyer më parë në Ballkanin Perëndimor si shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore