Lajme

“Ai ishte i turpshëm, nuk e mendoja se do të bëhej gjeni”, tregon e ëma e Elon Musk


E ëma e njeriut më të pasur në botë, Maye Musk, në një intervistë për “Corriere della Sera”, flet edhe për veten dhe dhunën nga ish-bashkëshorti Errol.

“Nuk jam e sigurt nëse, të paktën këtë javë, Elon është në të vërtetë njeriu më i pasur në botë”, ka thënë ajo.

Kohët e fundit, ai theu Librin e Rekordeve Botërore Guinness për humbjen më të madhe në histori të aseteve, duke rënë nga 320 miliardë dollarë në nëntor 2021 në 138 miliardë dollarë.

Por ai sërish mbetet Elon Musk. Dhe 75-vjeçarja Maye Haldeman Musk, modele, ndikuese dhe dietologe, është nëna e tij.

Tani thinjoshe, por me një buzëqeshje magjepsëse, ajo është rritur në Afrikën e Jugut dhe më pas nga Kanadaja në SHBA, në të mund të vërehet i njëjti shpirt i djalit të saj.

Këtë të fundit, ajo e përshkruan si “të shkëlqyer, por të turpshëm” në fëmijërinë e tij.

Në autobiografinë e saj të publikuar së fundmi në Itali nga “Giunti”, ajo ndan vëmendjen dhe hapësirën në mënyrë të barabartë midis Elon dhe dy fëmijëve të tjerë më të vegjël, Kimbal dhe Tosca.

“Mund t’ju siguroj që djali im nuk jeton aspak në luks, përkundrazi. Ai nuk ka shtëpinë e tij dhe jeton në apartamente modeste”, ka folur ajo për Elon-in.

Maye Musk e kujton atë në fëmijëri si të turpshëm.  “Ai ishte një fëmijë i mbyllur, në mëngjes mundohesha ta ngrija nga shtrati për ta çuar të shkonte në shkollë. Si mund ta parashikoja që do të ishte kaq i suksesshëm?”.

Ajo ka konfirmuar historinë se, kur ka qenë i vogël ai është rrahur nga një grup bashkëmoshatarësh. Dhe se kjo shërbente si një arsye pse ai hezitonte të shkonte në shkollë.

“Një herë u ngrita në agim dhe pashë dritën e ndezur në dhomën e tij. Kuptova se ai e kishte kaluar gjithë natën duke lexuar dhe nuk kishte fjetur. Mendoj se ai flinte rreth tridhjetë minuta natën”.

Madje, pranon se edhe sot Elon nuk fle shumë. “Vërtetë, ai nuk ka nevojë për shumë gjumë”.

Pyetjes për një nga veçoritë e tij, ajo i është përgjigjur duke thënë se “gjenitë janë të aftë të shpikin gjëra të mrekullueshme në bodrumet e tyre, por ata nuk kanë instinkt mbijetese”.

Nga libri, del se ndihma e dhënë ndaj Elon-it prej saj ka qenë tejet e rëndësishme në fillesat e tij.

“Isha ndarë, jetonim në Johanesburg, por ai donte të transferohej në Kanada, sepse ishte i bindur se do të kishte më shumë shanse atje. E dërgova me dy mijë dollarë çeqe udhëtimi”

“Ai mori kompjuterin e tij të parë kur ishte dymbëdhjetë vjeç. Ai mësoi ta përdorte atë dhe krijoi BLASTAR, një videolojë. I sugjerova që ta dërgonte në një revistë tregtare, ai e bëri dhe ata i dhanë 500 dollarë. Nuk mendoj se ata e dinin se shpikësi nuk ishte as trembëdhjetë vjeç”.

Maye Musk ka treguar se kur ishte i vogël, Elon-i lexonte shumë. Dhe çka lexonte nuk e harronte.

“E quanim ‘Enciklopedia Elon’ sepse kishte lexuar Enciklopedinë Britannica dhe Colliers, por mbi të gjitha mbante mend çdo gjë përmendësh. Ishte mbresëlënëse”.

Në kohën kur ai shiti PayPal-in, ai tashmë ishte bërë shumë i pasur dhe ajo ishte e shqetësuar për shëndetin e tij, donte që ai të ndalej pak.

Kur ai e pyeste nëse duhej të fokusohej te raketat, makinat elektrike apo energjinë diellore, ajo i sugjeronte kaherë të zgjidhte veç një.

Por ai nuk e dëgjoi dhe ja doli me sukses.

“Çka ai ka bërë është e pabesueshme, jemi krenarë për të”, ka thënë ajo.

Por në librin e saj rrëfehet edhe se jeta nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për të, përkundrazi. Ajo është dhunuar nga bashkëshorti, pa arsye, por ja ka dalë të shpëtojë.

“Në moshën 31 vjeçare ika nga burri im dhe u transferova në Durban. Isha nënë beqare. Por unë u largova. Pak nga pak u specializova në dietologji, më pas karriera ime e modelingut mori një kthesë të papritur”, ka treguar ajo.

Por Maye Musk e arriti popullaritetin e vërtetë në moshën 70-vjeçare.

“Ashtu është, revistat kanë filluar të më kërkojnë për kopertinat e tyre. Por, para së gjithash, unë jam dietologe dhe mbaj konferenca. Unë u them grave: nëse jeni subjekt i dhunës, filloni të flisni menjëherë për të, me miqtë dhe familjen. Dhe pastaj përpiquni të keni një plan, mos u dorëzoni”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore