Kosova

Ahmeti vazhdon kundërpërgjigjet ndaj Micksokit: Pak e ka çfarë i kam thënë, si ai i kam dërguar nja 9 në pension


Ali Ahmeti

“Pak, pak e ka çka i kam thënë”, ka thënë Ali Ahmeti për kundërpërgjigjet e tij ndaj liderit nacionalist të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, ku i bëri thirrje që t’i mat fjalët, dhe të mos nis, siç theksoi ai, “bela”, duke bërë fushatë kundër shqiptarëve.

Këto komente, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i ka bërë në një intervistë për “TV21”, të hënën, në prag të mbylljes së fushatës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, derisa iu kundërpërgjigj sërish Mickoskit, i cili theksoi se do e çoi në pension politik Ahmetin.

“Për pension nuk vendos Hristjani, vendosin qytetarët. Ne jemi në garë, gara do e përcaktojë se kush shkon në pension”, theksoi Ahmeti, derisa ia përkujtoi edhe fatin e paraardhësve të tij që kanë bërë deklarata të ngjashme.

“Po e përkujtojë Hristjanin se deri tash, si ai, nja nëntë (9), i kam çuar në pension. Nuk është mirë të ngutet me këto vlerësime”, shtoi kreu i internistëve duke buzëqeshur me ironi ndaj deklaratave të Micksokit.

Mickoski thirrje për “bashkim kombëtar maqedonas”: Të bashkohemi kundër Ali Ahmetit

Sa i përket fjalimit të tij në tubimin qendror të koalicionit që ai e udhëheqë “Fronti Evropian”, në sheshin “Maqedonia” në Shkup, në prag të zgjedhjeve presidenciale – ku ky koalicion garon me kandidat Bujar Osmanin – drejtuar Mickoskit, Ahmeti ka potencuar se ka qenë një vërejte për liderin e VMRO-së.

“Nuk është sharje, është një vërejte që i bëhet Mickoskit. Nuk i bie pishman se çfarë i kam thënë”, pohoi kreu i BDI-së, derisa kujtoi se ka qenë pikërisht Mickoski ai që e ka filluar këtë betejë.

“Bilës unë pak i jam kundërpërgjigjur”, deklaroi.

Ahmeti i bëri thirrje shefit të opozitës që mos gabojë, pra të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij në raport me komunitetet e tjera që jetojnë në Maqedoni të Veriut.

“Le t’i matë fjalët. Nuk i bëhet thirrje popullit mos voto BDI-në, mos voto Ali Ahmetin. Unë nuk u thash maqedonasve që t’i matin fjalët, ju keni gabuar, jo, ka gabuar Hristjani që dalur në tribunë dhe ka folur kundër shqiptarëve. Ky është gabim i Hristjanit”, potencoi ai ndër të tjera.

Ndryshe, VMRO-DPMNE të gjithë fushatën zgjedhore e ka reduktuar në sulmet ndaj BDI-së, përkatësisht kryetarit Ali Ahmeti, por edhe kandidatit të “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Mickoski thirrje për “bashkim kombëtar maqedonas”: Të bashkohemi kundër Ali Ahmetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore