Lajme

Ahmeti propozon Bujar Osmanin kandidat për President të Maqedonisë së Veriut


Ali Ahmeti

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ka propozuar kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i BDI-së, në një fjalim drejtuar popullit, ku u paraqit me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, ka ftuar qytetarët që ta përkrahin Osmanin, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, për të udhëhequr me presidencën maqedonase.

Bujar Osmani

Osmani është kandidati i dytë shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut, pasi që ditë më parë, opozita shqiptare atje (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët), propozuan kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin, që të jetë kandidat i tyre për president.

Në fjalën e tij, Ahmeti ka deklaruar se Osmani e ka dëshmuar veten si politikan, derisa konsideroi se tani ai është gati për betejën e ardhshme.

“Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Ahmeti.

“Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual”, pohoi.

Lideri i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut nënvizoi se se historia e ka mësuar se ideve të mëdha nuk duhet t’u bëhet ballë, “por duhet t’i bashkohesh”, derisa vuri në pah rrezikun në të cilin gjendet rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Vendi jonë, dhe i gjithë rajoni, po ballafaqohet me një rrezik të madh nga një ndikim permanent malinj, gllabërues dhe të paskrupullt të tjetërsimit të rrugëtimit dhe përcaktimit tonë Euro-Amerikan”, deklaroi Ahmeti.

“Tash është radha që të ballafaqohemi drejtpërdrejtë. Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe na ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë duke destabilizuar institucionet dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend”, shtoi.

Rusia, sipas Ahmetit, “është preznete në partitë politike në vendin tonë, në mediat tona, shoqërinë civile… jo vetëm tek ne por edhe në tërë rajonin tonë”.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut do të mbahet më 24 prill, kurse ai i dyti më 8 maj, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore