Lajme

Ahmeti: S’e ruaj shpinën nga Kurti


Albin Kurti dhe Ali Ahmeti

“Nuk e ruaj shpinën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, unë iu kam thënë edhe Tiranës edhe Prishtinës, nëse nuk u pëlqen diçka që unë nuk e bëj mirë, më tregoni hapur”.

Kështu ka thënë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti në një intervistë për Kanal 10, kur është pyetur për regjistrimin e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si parti në Shkup.

Ahmeti ka folur edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka theksuar se e kupton që është e vështirë të arrihet pajtimi shqiptaro-serb, duke potencuar se pa njohje reciproke nuk do ketë paqe të qëndrueshme mes dy vendeve.

“Nuk është e lehtë të flitet për pajtimin shqiptaro-serb, nënës ia kanë djegur fëmijën para syve. Ballkani Perëndimor duhet të paqësohet, të jetë pjesë e Evropës. Të gjithë duhet të bëjmë më të mirën”, shtoi Ahmeti.

Kreu i BDI-së ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke theksuar se nuk duhet assesi të ketë kompetenca ekzekutive dhe ka potencuar se për këtë ka marr garraci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vitin e kaluar në Ohër.

“Nuk jam zhgënjyer asnjëherë nga Evropa, ShBA-ja dhe NATO-ja. Në marrëveshjen e Ohrit kas pas garanci nga aleatët që nuk do ketë shtet brenda shtetit, ky gabim është bërë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Asociacion pa kompetenca ekzekutive, në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, tregoi deputeti shqiptar në Maqedoni të Veriut.

Ndryshe, këtë të hënë, Talat Xhaferi u bë zyrtarisht kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai deklaroi gjatë një konference për media se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisë teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi me Bashkimin Evropian (BE), Aleancën Veri-Atlantike (NATO) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore