Shqipëria

Ahmetaj ankimon në Kushtetuese kontrollin e banesës nga BKH-ja


Ish zëvendës kryeministri dhe ish ministri i Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Arben Ahmetaj ka ankimuar të martën e 19 shtatorit në Gjykatën Kushtetuese kontrollin e banesës së bashkëjetueses së tij në Hamallaj nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ish zyrtari i lartë kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Apel.

Sipas ankimit, kontrollet janë kryer në papajtueshmëri me ligjin dhe janë anti-kushtetuese, pasi nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi.

Kjo, pasi në njërën nga banesat jetonte edhe vetë Ahmetaj, i cili gëzonte mandatin e deputetit.

Kujtojmë që, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi më 10 gusht, vendimin e shkallës së parë për sekuestron e pasurisë së ish zëvendës kryeministrit.

Ahmetaj, përmes avokatit të tij, kërkoi në këtë strukturë kthimin e apartamentit në zonën e Shallvareve që iu sekuestrua nga SPAK-u.

Gjykata e Lartë rrëzoi më 27 korrik kërkesat e partneres dhe ish bashkëshortes së ish zyrtarit të lartë, për heqjen e sekuestrove të vilave në Hamallaj dhe Palasë.

Po e njëjta shkallë e drejtësisë nuk do të pranonte më 11 maj rekursin e bërë nga ish-ministri Arben Ahmetaj sa i përket vendimit për sekuestrimin e vilave.

Një vilë në zonën e Palasës, në jug të Shqipërisë, u sekuestrua nga SPAK, ku dyshohej se ajo ishte pronë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt.

Vila e vënë nën sekuestro ishte e njëjta ku u kryen kontrolle më 9 mars dhe për të cilën ish-gruaja e Ahmetajt, nuk ka pranuar se është në pronësinë e saj.

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ahmetajt për sekuestrimin e vilave

Më herët, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan kontrolle në disa banesa të të afërmve të tij në Lalëz dhe në Tiranë.

Lidhur me këto zhvillime, do të reagonte vetë Ahmetaj duke i kërkuar medias që “të merret me fondet e inceneratorëve”.

“Ndërsa ‘spin doctor’/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milionë euro imagjinarë”, shkruan ish-zyrtari i lartë në median sociale “Facebook”.

Sa i takon kontrolleve të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ai e konsideron si “raprezalen e radhës” ndaj familjes së tij.

“Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për ‘inceneratorët’”, vëren Ahmetaj.

Prangosja e Ahmetajt, do të përbënte në vetvete arrestimin më të lartë të një zyrtari në 32 vite demokraci.

Një seancë e jashtëzakonshme do të jetë ajo ku do të vendoset fati i ish zëvendës kryeministrit, ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka një urdhër-arresti.

Gjasat janë që të votohet pro heqjes së imunitetit të Ahmetajt – rrjedhimisht pro arrestimit të tij.

Ende nuk është bërë me dije nëse Ahmetaj do të paraqitet apo jo ta mbrojë veten përballë drejtësisë shqiptare, ashtu si ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, apo ish-sekretari i Përgjithshëm në këtë ministri, njëkohësisht ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.

Hetimi

Hetimi ndaj ish-zëvendës kryeministrit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.

Nga dosja hetimore – të parë nga Albanian Post – vërehet se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Por, në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016 Arben Ahmetaj atëherë ministër i Financave është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit.

Kjo, në rastin e projektit koncensionar të Fierit – miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish-ministrit, Shkëlqim Cani.

Po ashtu, Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Në dosjen hetimore, janë dokumentuar disa pagesa për hotelet ku ka qëndruar Ahmetaj.

Aty shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i e-mailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto.

Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017.

Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.

Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit për inceneratorët.

Dalja e tyre e parë së bashku, e cila është dokumentuar në dosjen e SPAK rezulton të jetë bërë më 23 nëntor 2012.

Pasuria

Fillimisht, ish-zyrtari i lartë ka përfituar një shumë prej 170 mijë e 480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Andi Boni (pagesë e kryer në përfundim nga shtetasi Helidon Begaj) në dy apartamente me sipërfaqe 124.15 m2, ndodhur në ZK3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron”, sh,p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Andi Boni dhe Helidon Begaj.

“Pasurinë truall plus ndërtesë me nr.pasurie 1/110 vol 12 faqja 26 ZK 1925 me sipërfaqe trualli 521.13 m2 e përfituar në vitin 2017 nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”, vijon dosja hetimore.

Në vijim të hetimeve, SPAK ka zbuluar se Ahmetaj ka përfituar shumën prej 130 mijë euro në vitin 2017 dhe 2018 duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj shtetasit Besmir Prifti, të një apartamenti me sipërfaqe, 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në ZK 3292, në vendin e quajtur Selitë, në pallatin e ndërtuar nga shoqëri ‘Sheron” sh.p.k.

Sipas SPAK-ut, kjo vlerë është paguar sërish në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekti tregtar “Intefradet Technology Services”, sh.p,k nëpërmjet shtetasit Besmir Prifti.

Në vitin 2018, ish-zëvendës kryeministri ka përfituar shumën prej 140 mijë euro, duke u mbukuar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.

Kjo, përkundrejt një ‘shitje’, ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të një apartamenti me sipërfaqe 178.68 m2 dhe një garazhi me sipërfaqe 21 m2 ndodhur në zonën në ZK 3292në vendin e quajtur Selitë në pallatin e ndërtuar nga shoqëria ‘Sheron” sh.p.k.

SPAK vëren se kjo vlerë është paguar po ashtu në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” sh.p.k.

Në vijim, Ahmetaj ka përfituar edhe shumën prej 34 mijë e 422 euro të përfituar në formën e shpenzimeve dhe pagesa hotelesh, udhëtimesh përgjatë periudhës 2013-2017.

Këto pagesa janë kryer drejtpërdrejt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për shtetasin Arben Ahmetaj apo të afërm të tij.

SPAK dorëzon në Polici urdhër-arrestin për Arben Ahmetajn

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore