Kosova

Agon Maliqi për Washington Post: “Perëndimi po ushtron presion mbi Kosovën për ta larguar Serbinë nga orbita e Rusisë”   


Ilustrim

Analisti politik, Agon Maliqi, përmes një shkrimi autorial në prestigjiozen amerikane “The Washington Post”, e ka portretizuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si një luftë mes Rusisë dhe Perëndimit.

Në artikullin e titulluar “Në Ballkanin Perëndimor, Perëndimi po përpiqet të largojë Rusinë”, Maliqi ndër të tjera ka argumentuar se komuniteti ndërkombëtar po përpiqet ta bindë Kosovën dhe Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje, përmes së cilës do të jepej një goditje ndikimit rus në rajon.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropiane po zbulojnë se duhet të ecin në një litarë të ngushtë, duke u përpjekur të fitojnë një ish-klient rus, ndërkohë që detyrojnë një aleat të vjetër. Kjo strategji moralisht e paqartë mund të rezultojë të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Por, nuk është pa rreziqe”, ka shkruar Maliqi.

“Rusia ka qenë tradicionalisht një mbështetëse e Serbisë në mosmarrëveshjen e saj me Kosovën pro-perëndimore dhe demokratike”.

Marrëveshja e propozuar nga BE-ja dhe e mbështetur nga SHBA-të, shkruan më tej Maliqi, është një zgjidhje e përkohshme ku Serbia nuk do të duhej ta njihte zyrtarisht Kosovën, por të dy vendet do të njihnin sovranitetin e njëri-tjetrit.

“Negociatorët perëndimorë thuhet se i kanë kërcënuar të dyja palët me pasoja dhe i kanë paraqitur atyre një version të marrëveshjes ‘merre ose lëre’”.

Maliqi, më tej ka shkruar se ndërmjetësit perëndimor janë përpjekur ta largojnë njëherë e përgjithmonë Serbinë nga orbita e Rusisë, duke ushtruar presion të madh mbi Kosovën dhe duke bërë të pamundurën në përmbushje të disa kërkesave serbe.

“Ndërmjetësuesit këmbëngulin që Kosova të fillojë menjëherë përmbushjen e marrëveshjes së vitit 2015 për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërmjetësuesit thuhet se janë gjithashtu të hapur ndaj insistimit të Serbisë që Kosova të deklarohet se nuk do të aplikojë për anëtarësim në OKB pa pëlqimin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar me thelbin e propozimit, por ka kritikuar hapur qasjen e ndërmjetësve. Ai argumenton se Serbia e ka vonuar njohjen e plotë të Kosovës për më shumë se një dekadë duke zvarritur dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe se Vuçiç po shpërblehet pavarësisht refuzimit të tij për t’u bashkangjitur plotësisht politikës perëndimore për Ukrainën”.

Diplomatët amerikan, shkruan më tej Maliqi, kanë ftuar Kosovën që të propozojë një model të pranueshëm për implementimin e Asociacionit.

“Gjithashtu ende nuk e qartë nëse dera e OKB-së do të mbetet e mbyllur për momentin. Kosova duhet të ketë një rrugë të hapur drejtë anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Kompromiset, argumenton Maliqi, janë të pashmangshme në diplomacinë e suksesshme.

“Në një kuadër më të gjerë gjeopolitik, strategjia e Perëndimit është e shëndoshë. Një marrëveshje do të dobësonte kontrollin e Kremlinit mbi Ballkanin dhe mund ta vendosë rajonin në një rrugë drejt integrimit përfundimtar në Perëndim”.

“Por, nëse marrëveshja vetëm zbut tensionet etnike për një afat të shkurtër me koston e sovranitetit të qëndrueshëm të Kosovës, ajo do ta lërë rajonin të paqëndrueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore