Kosova

AGK thërret protestë në mbrojtje të Klan Kosovës


Pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur pa bazë ligjore të pezullojë certifikatën e biznesit të televizionit Klan Kosova, që nënkupton praktikisht edhe mbylljen e televizionit nëse vendimi nuk ndryshon, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka vendosur të thërras protestë për të hënën e 31 korrikut.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në njoftimin e AGK-së, bërë publik edhe në rrjetet sociale.

“Protesta me moton ‘Demokracia vdes në errësirë’, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti”, ndërsa AGK “i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”.

Kundërshtohet vendimi i pushtetit për të mbyllur Klan Kosovën – Krejt çka ndodhi dje

Çfarë ka ndodhur?

Në orët e pasdites të së premtes Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se kishte refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Sipas njoftimit të MINT “ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”.

Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa, u bë me dije se ministria pas këtij vendimi ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj.

“Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës”, potencohej në njoftimin e ministrisë.

Pas këtij vendimi, “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.

Kundërshtimi i QUINT-it

Ambasadat e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, të njohura ndryshe si vendet e QUINT-it, kundërshtuan vendimin që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mori për të refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” për rikthimin e licencës së operimit.

Përmes një komunikate zyrtare, vendet e QUINT-it thanë se shprehin shqetësimin e tyre “të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës”.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë”, pohuan ata, duke shtuar se “revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”.

Ndërkaq, nga QUINT-i u theksua se “liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike”.

“Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, përfunduan reagimin e tyre.

Reagimet e organizatave ndërkombëtare dhe vendore të mediave

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i cili ndjek prej kohësh nga afër situatën e lirisë së medias në Ballkan, u shpreh i tronditur në një prononcim për Albanian Post, “nga mënyra se si ministria refuzoi kërkesën e Klan Kosovës”.

Për kreun e organizatës evropiane, ky është tregues i një “qeverie të pamëshirshme” dhe është “qartësisht një paralajmërim për mediat e tjera të pavarura”.

“Mesazhi është shumë i qartë: qëllimi është të frikësohen të gjitha mediat duke u treguar atyre se qeveria ka fuqinë të mbyllë televizionin kryesor privat të vendit brenda pak javësh. Është një strategji terrori e ngjashme me atë që vërejmë në Rusi dhe Bjellorusi”, theksoi fillimisht për Albanian Post sekretari i EFJ-së.

“Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për të gjithë demokratët dhe për të gjithë ata që si unë shpresonin në integrimin evropian të Kosovës. Praktikat antidemokratike të klanit të VV-së do t’u japin argumente atyre që nuk e duan Kosovën në Evropë. Më vjen keq për popullin e Kosovës, i cili nuk e meritoi këtë”, shtoi Gutierrez në komentin e tij për AP-në.

Sipas tij, ky vendim është i motivuar politikisht, pasi Lëvizja Vetëvendosje bëri gjithçka që kishte në dorë për të siguruar mbylljen e një medie që po turbullonte interesat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore