Kosova

AGK-ja dënon sulmin fizik ndaj gazetarit në Prizren: Jemi të tronditur


Momenti i sulmit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmin fizik ndaj ekipit të mediumit të Nacionales në Prizren.

AGK është shprehur i tronditur me sulmin ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren, të cilët ishin atje për të raportuar për proteston e thirrur nga imamët lokalë kundër festivalit “DokuFest”.

“Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka kërkuar nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë.

Ndryshe për sulmin në fjalë ka reaguar edhe juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, e cila e ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Nacionales.

“Kriminelët duhet të arrestohen menjëherë. Për çdo minutë që ata nuk janë në paraburgim, mesazhi është mësyjani gazetarëve se nuk keni pasoja”, ka shkruar Kusari.

“Pa u rritë dënimet për sulme ‘online’ dhe fizike ndaj gazetarëve dhe pa u ndal denigrimi verbal i gazetarëve nga njerëzit e veshur me pushtet politik, fetar apo financiar, të bërit gazetari do të vazhdojë të përkeqësohet më shpejtësi”.

Çfarë ndodhi?

Të premten në Prizren është protestuar kundër një performance të realizuar në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, që mbahet në të njëjtin qytet.

Thirrja për protestë është bërë Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Qytetarët e mbledhur në Sheshin Shatërvan kanë mbajtur në duar mbishkrimet: “DokuFest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”.

Në nisje të edicionit të sivjetmë të festivalit, grupi kanadez “Peaches”, e ka realizuar një performancë në mbrojtje të transgjinorëve.

Organizatorët e festivalit u kanë thënë mediave lokale në Kosovë, se në hapje kanë marrë pjesë vetëm personat që kanë pasur bileta, dhe të gjithë kanë qenë mbi moshën 18-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore