Kosova

AGK: E papranueshme tendenca e qeverisë për kontroll partiak të RTK-së


Ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e muajve të fundit brenda Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ndërsa duke komentuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka konsideruar se Qeveria e Kosovës edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së.

“Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendimmarrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj”, ka deklaruar AGK-ja në një komunikate të postuar në “Facebook” të dielën, ndërsa ka shtuar se në vend të presionit publik, institucionet duhet të përkujdesen për të siguruar funksionimin e RTK-së.

“Qeveria e Kosovës, nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë edhe deputetë, disa herë edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së, që është praktikë e papranueshme”, ka theksuar ndër të tjera AGK-ja, duke shtuar se e çmon rolin krucial që RTK-ja luan në funksionimin demokratik të vendit dhe në lirinë e medies në Kosovë.

Ndryshe, drejtori i përgjithshëm i RTK-së ka dhënë dorëheqje të dielën. Ahmetxhekaj ka njoftuar në “Facebook” se vendimi ka ardhur pas “një presioni politik 7-mujor që rezultoi me mospajtime të thella me bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje” të RTK-së. Ai ka shtuar se ka shprehur vullnetin që ta ushtrojë detyrën, por bordi i RTK-së e ka injoruar kërkesën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore