Agim Ademi ia ndau sekretarit të vet mbi 56 mijë euro

“Hodaj & Partners” është në pronësi të ish-sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, i cili ka mbrojtur në disa procese gjyqësore Ademin
SHFLETO

Taulant Hodaj dhe Agim Ademi

 

Valon Rashiti
25.09.2024 16:23
Loading Icons...

Përmes një sistemi korruptiv të sofistikuar, Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ia ka ndarë 56 mijë e 11 euro e 25 cent kompanisë “Hodaj & Partners” gjatë vitit 2021/22. Kjo kompani është në pronësi të ish-sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, i cili ka mbrojtur në disa procese gjyqësore Ademin.

Me këtë vendim, kreu i FFK-së dhe Hodaj dyshohet se kanë shkaktuar veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi që i kanë mundësuar vetes dhe të tjerëve përfitime pasurore në kundërshtim me Ligjin e Organizatave Joqeveritare (FFK funksionon me ligj të OJQ-ve), përkatësisht nenin 32, pika 1 dhe në kundërshtim me Statutin e FFK-së, nenin 23, pika 7.

“Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e OJQ-së nuk përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtarë, punonjës ose donator të OJQ-së, përveç pagesës për personat që kryejnë punën për organizatën”, thuhet në ligj.

Ndërsa, në statutin e FFK-së theksohet se “anëtari i organit apo trupit Statutar të FFK nuk mund të marrë pjesë në sjelljen e vendimeve rreth asnjë çështje, ku mund të ketë konflikt interesash”.

Kompania “Hodaj &Partners” ka mbrojtur Agim Ademin në Gjykatën Supreme, kur ky ishte i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm nga shkalla e dytë.

Emërimin e Hodajt si u.d i Sekretarit të Përgjithshëm të FFK-së e kishte kundërshtuar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, pasi që kishin konstatuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me statutin e tyre. Duke pasur parasysh këtë, FFK-ja kishte vendosur që kinse atë ta emërojë vetëm si ushtrues detyre, ndonëse në paraqitje televizive e delegacione zyrtare, Hodaj paraqitej si Sekretari i Përgjithshëm.

Por, lidhja e Ademit me Hodajn nuk përfundon me kaq. AP merr vesh se edhe zyra e avokatisë që është në pronësi prej 60 për qind të aksioneve nga Hodaj, gjendet në një nga ndërtesat e Ademit në kryeqytet.

Përmes të dhënave bankare që ka siguruar Albanian Post, dëshmohet se dhjetëra njerëz të afërt me Agim Ademin, kanë fituar para kundërligjshëm nga Shtëpia e Futbollit të Kosovës.

Ndërkaq kjo është vetëm pjesa e parë e keqpërdorimeve që Ademi dhe zyrtarët e tjerë të FFK-së i kanë bërë në krye të këtij institucioni.

Ditëve në vijim Albanian Post do të publikojë gjetjet e tjera me fakte shteruese për korrupsion, shmangie nga tatimi përmes mashtrimit të shtetit e nepotizëm.