Shqipëria

Adnan Xholi do të drejtojë seksionin e krimit të organizuar në SPAK


Prokurori Adnan Xholi do të jetë drejtues i ri i seksionit të krimit të organizuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), i cili zëvendëson në këtë detyrë Altin Dumanin.

Xholi do t’i bashkohej trupës aktuale të prokurorëve specialë në vitin 2021, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë e votoi me votë unanime të të gjithë anëtarëve të pranishëm.

Ai është një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare.

Xholi mbante më herët detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa më parë ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të Akuzës.

Më herët, prokurori Adnan Xholi ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

Në vitin 2020 në përfundim të mbledhjes së prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme do të vendosej që prokurorët të ndaheshin në dy seksione, në atë kundër Krimit të Organizuar dhe në atë kundër Korrupsionit.

Kjo, duke vlerësuar faktin që specializimi për kategori të caktuara veprash penale është element thelbësor ndikues në rritjen e efikasitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në përgjithësi.

Asokohe në Seksionin Kundër Krimit të Organizuar do të emëroheshin prokurorët: Altin Dumani, Vladimir Mara, Behar Dibra, Ened Nakuçi, Doloreza Musabelliu, Elida Kaçkini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore