Lajme

ADN-ja e 13 Neandertalëve zbulon një rrjet të ndërlidhur marrëdhëniesh mes tyre


Shkencëtarët kanë ekzaminuar ADN-në e një komuniteti Neandertal nga fragmente kockash dhe dhëmbësh të zbuluara në shpellat e Siberisë jugore.

Ata analizuan ADN-në e 13 burrave, grave dhe fëmijëve dhe gjetën një rrjet të ndërlidhur marrëdhëniesh, duke përfshirë një baba dhe vajzën e tij adoleshente, një burrë tjetër dhe babanë e tij, si dhe dy të afërm.

Sakaq, studiuesit besojnë për një popullsi të vogël të Neandertalëve, me komunitete të shpërndara në distanca të mëdha dhe se numëronin rreth dhjetë deri në 13 individë.

Laurits Skov, autori i studimit në Institutin Max Planck, ka treguar se fakti që Neandertalët ishin gjallë në të njëjtën kohë ishte një gjetje “shumë emocionuese”.

Ky fakt la të kuptohej se ata i përkisnin një komuniteti të vetëm.

Komuniteti u gjet nga zbulimi nëpër shpella të ndryshme në të gjithë Euroazinë perëndimore, një territor nga i cili njerëzit janë zhdukur afro 40 mijë vjet më parë.

Më parë ka qenë e pamundur të thuhet nëse Neandertalët e gjetur në vende të veçanta i përkisnin komuniteteve apo jo.

“Mbetjet e Neandertalëve në përgjithësi janë jashtëzakonisht të rralla. Ne shpesh i gjejmë ata në vende mijëra kilometra larg dhe po ashtu dhjetëra mijëra vjet larg njëri-tjetrit”, ka treguar Benjamin Peter, autori tjetër i studimit.

Në këtë zbulim të fundit, studiuesit ekzaminuan ADN-në nga mbetjet e Neandertalëve të gjetura në shpellën Chagyrskaya dhe shpellën Okladnikov aty pranë në malet Altai të Siberisë jugore.

Analiza e mëtejshme e tyre solli zbulimin për më shumë diversitet gjenetik në mitokondritë e Neandertalëve sesa në kromozomet e tyre Y, të cilat kalohen nga babai te djali.

Sipas tyre, shpjegimi më i mundshëm është se gratë kanë udhëtuar nga komunitetet e tyre për të jetuar me partnerët.

Lara Cassidy, një asistent profesoreshë e gjenetikës, e ka cilësuar studimin si një “pamja e parë gjenomike e një komuniteti neandertal”.

“Të kuptuarit se si u organizuan shoqëritë e tyre është e rëndësishme për shumë arsye”, ka thënë Cassidy.

“I humanizon këta njerëz dhe i jep një kontekst të pasur jetës së tyre. Por gjithashtu, nëse kemi më shumë studime si ky, mund të zbulojmë aspekte unike të organizimit shoqëror të paraardhësve tanë Homo sapiens”, ka shtuar ajo.

Dhe se kjo është thelbësore për të kuptuar pse ne jemi dhe Neandertalët jo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore