Sport

Abramovich reagon pas shitjes zyrtare të Chelsea-t: Nder i përjetshëm që isha pjesë e klubit


Chelsea gjatë ditës së sotme zyrtarizoi pronarin e ri, Todd Boehly, duke i dhënë kështu fund epokës së Roman Abramovich-it. Kjo e ndikuar nga pushtimi rus i Ukrainës dhe sanksionet që iu vendosën nga Britania e Madhe oligarkut.

Konsorciumi i përfaqësuar nga Boehly do të paguajë rreth 5 miliardë euro në total. 3 miliardë janë për aksionet e klubit dhe 2 miliardë të tjera investime për të ardhmen.

Abramovich, njeriu që e ngriti Chelsea-n drejt majave më të larta të futbollit evropian dhe botëror, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme.

“Ka pothuajse tre muaj që kur kam shpallur qëllimin tim për të shitur Chelsea-n”, shkruan Abramovich.

“Gjatë kësaj kohe, ekipi punoi shumë për të gjetur pronarin e duhur për klubin, një figurë që do të ishte në pozitën më të mirë për ta udhëhequr me sukses klubin në kapitullin e tij të ardhshëm”.

“Që kur u bashkova me Chelsea-n gati 20 vjet më parë, unë kam parë nga afër se çfarë mund të arrijë ky klub”.

“Qëllimi im ka qenë të siguroj që pronari i ardhshëm të ketë një mentalitet që do ta udhëheqë ekipin e meshkujve dhe femrave drejt suksesit, si dhe vullnetin dhe nxitjen për të vazhduar zhvillimin e aspekteve të tjera kyçe të klubit, si Akademia dhe puna themelore e Chelsea Foundation”.

“Ka qenë një nder i përjetshëm të isha pjesë e këtij klubi”, vijon deklarata e manjatit rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore