Përballje

Abissnet Superiore/ Tirana kalon pa problem Teutën, Partizani shkatërron Kukësin


Kanë përfunduar dy ndeshjet e xhiros së 23-të në Abissnet Superligën e Shqipërsië në futboll.

Tirana po vazhdon në rrugë të mirë drejt titullit kampion, të cilët morën fitoren e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit.

Tiranasit këtë radhë morën një fitore shumë të rëndësishme, pasi që mposhtën në udhëtim Teutën, me rezultat 0:2.

Bardheblutë zhbllokuan rezultatin që në minutën e 17-të, kur Taulant Seferin gjuajti një goditje jo shumë të fortë nga jashtë zone, por topi rrëshqiti nga duart e portierit, Dema, i cili më pas përfundoi në rrjetë.

Në vazhdim të lojës, raste pati nga dyja skuadrat, por goli i radhës do të vinte në minutën e 60-të, kur përsëri Seferi ishte realizues.

Me këtë fitore, Tirana përforcon vendin e parë në tabelë me 52 pikë, duke lënë prapa në vendin e dytë Laçin me nëntë pikë më pak.

Fitore të rëndësishme arriti edhe Partizani, të cilët mposhtën në shtëpi Kukësin, me rezultat të thellë 5:0.

Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 33-të, kur pas një penalltie të akorduar nga sistemi VAR, u tregua i saktë Sherif Kallaku.

Nuk vonoi shumë dhe katër minuta më vonë, Xhuliano Skuka dyfishoi shifrat për Partizanit, me skuadrat që shkuan në pushim me rezultat 2:0.

Edhe pjesa e dytë foli në tërësi të Partizanit. Në sulmin e parë të pjesës së dytë, kryeqytetasit arritën të trefishojnë rezultatin me një gol shumë të bukur të realizuar nga braziliani, Stenio Junior.

Minuta e 53-të do të sillte një episod të pakëndshëm për futbollin shqiptar, pasi tifozët e Partizanit hodhën mjete piroteknike në fushë nga të cilat mbeti i lënduar portieri i Kukësit, Angelo Tafas.

Kuksianët arritën të shkurtojnë diferencën në minutën e 56-të pas një gabimi të portierit Alban Hoxha, por goli u anulua nga sistemi VAR.

Partizani do të kishte kohë për të shënuar edhe dy gola të tjerë në minutat e fundit të ndeshjes.

Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Gresild Lika shënoi golin e katërt, derisa në minutën e fundit të kohës shtesë, Herald Marku vendosi rezultatin përfundimtar 5:0, pas një super goli të realizuar nga goditja e dënimit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore