Përballje

Abissnet Superiore/ Kukësi mposht Dinamon, Laçi barazon me Skënderbeun


Kukësi është rikthyer te fitorja pas katër ndeshjeve, teksa në ndeshjen e javës së 25-të në Abissnet Superiore, ka mposhtur në udhëtim Dinamon e Tiranës, me rezultat 0:2.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 17-të, kur verilindorët morën një dhuratë nga Prodani i cili ishte i pafat në momentin kur topi iu përplas në këmbë dhe përfundoi në portën e tij.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të Kukësit, teksa në fraksionin e dytë, ata arritën të shënojnë edhe golin e sigurisë.

Ishte minuta e 55-të kur Luka Milunovic shfrytëzoi më së miri një pasim të De Lucas dhe tundi për herë të gjashtë rrjetën në këtë sezon.

Dinamo tentoi disa herë për t’u rikthyer në lojë, por rezultati nuk ndryshoi dhe Kukësi mori një trepikësh të rëndësishëm për të ruajtur vendin e tretë, por edhe për t’iu afruar më shumë Laçit të vendit të dytë.

Aktualisht, verilindorët kanë 42 pikë, ndërsa Dinamo mbetet në pozita të vështira teksa renditet në vendin e tetë me 23 pikë.

Ndeshja tjetër e ditës, mes Laçit dhe Skënderbeut përfundoi pa gola, me kurbinasit që nuk dinë për fitore në tre ndeshjet e fundit.

Kurbinasit ishin më të qartë në lojën e tyre, por jo në konkretizim, me Skënderbeun që arriti të mbrohej mirë për të marrë një pikë të vlefshme në këtë takim.

Në minutën e 68-të, ishte mbrojtësi Velkoski që komplikoi ndeshjen për Laçin, pasi u ndëshkua me karton të kuq, megjithatë skuadra e Josës kërkoi deri në fund dhe golin e gjeti në shtesë, por ai u anulua nga sistemi VAR për shkak të pozicionit jashtë loje.

Ky barazim lë Laçin në vendin e dytë, por tashmë 10 pikë larg Tiranës kryesuese dhe thuajse tërësisht jashtë garës për titull, ndërsa Skënderbeu merr një pikë shprese, por mbetet në vendin e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore