Lajme

Abdixhiku thumbon Nagavcin: Demokracia vdes kur shkelja e Kushtetutës bëhet standard


Lumir Abdixhiku

Demokracia sipas Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vdes atëherë kur pushteti shkel, analizon apo edhe interpreton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu në një bashkëbisedim me studentët në Fakultetin Filozofik, Abdixhiku, duke i’u referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Ministrisë së Arsimit në raport me organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës, ka kritikuar ministren e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci.

“Për më keq, Kushtetuta është shkelë edhe nga ata që është dashur të merren me reformën në arsim, përkatësisht ministrja e Arsimit, ndaj, kjo është e papranueshme. Demokracia na duhet e gjallë dhe funksionale, ndërsa shkelja, analizimi dhe interpretimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga pushteti është përpjekje për defunksionalizim dhe mbytje të demokracisë”, ka thënë Abdixhiku.

Për Abdixhikun, me mosndërmarrjen e asnjë vendimi ligjor ndaj Nagavcit, po krijohet një precedent i mos marrjes së përgjegjësisë për shkelje të Kushtetutës si dhe i interpretimit të vendimeve të Gjykatës në fjalë me gjuhë politike nga ana e pushtetit.

Javë më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kishte dhënë të drejtë reformës në arsim të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, ndërsa ka identifikuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e drejtuar nga Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cënuar përgjegjësitë e pushtetit komunal.

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën e Kastratit kundër vendimit të MASHTI-it të 23 prillit për direktivat e organizmit të mësimit në Komunën e Kamenicës.

Një vendim i tillë i ministrisë, nën udhëheqësinë e Nagavcit, e përjashtonte Reformën në Arsim të nisur nga Qëndron Kastrati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore