Kosova

Abdixhiku takon kryetarët e degëve, diskuton për listat zgjedhore, komisionerët e vëzhguesit


Lumir Abdixhiku në takim me kryetarët e degëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të martën ka njoftuar se ka takuar kryetarët e degëve të LDK-së me të cilët ka diskutuar për listat zgjedhore, komisionerët e vëzhguesit për zgjedhjet parlamentare nga kjo parti.

“Biseduam dhe për takimet e ardhshme me qytetarë si platformë kryesore e komunikimit politik”, ka pohuar ai nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook.

Abdixhiku ndër të tjera ka bërë të ditur se do të vazhdojë takimet në çdo qytet e çdo fshatë.

“Të 170 takimet e fundit, brenda 50 ditëve, ishin jo vetëm frymëzuese, por dhe shenjë e qartë e konsolidimit të së djathtës në Kosovë”, ka shtuar ai.

Mbajtja e zgjedhjet të parakohshme parlamentare, doli të jetë tema kryesore e “darkës së punës” mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, për çka edhe pati një lloj “dakordance”, por siç u tha pas takimit të hënën, për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë refuzuar ftesën e Kurtit për t’u takuar të hënën.

Lidhur me takimin Kurti – Krasniqi, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nëpërmjet një komunikate për media të martën, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Të njëjtin pozicion e ka elaboruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tyre vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Kurti mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore