Kosova

Abdixhiku: Shteti po mbahet peng qe katër vjet – LDK-ja ka vizion të zhvillimit dhe mirëqenies


Lumir Abdxhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku, teksa ka lavdëruar për punën e bërë kryetarin e Isogut, Ilir Feratin, ka thënë se partia që e drejton e ka vizion zhvillimin dhe jo temat e tjera “të thata”, meqë sipas tij, tash e katër vjet “po mbahet shteti peng”.

“Nga Bjeshka e Moknës dhe rruga e re prej 19.1 kilometrave që po ndërtohet aty. Një korridor i ri turizmi, një model konkret i punës që vërtetë ka rëndësi. Dhe për këso politika e këso projekte ka nevojë vendi ynë”, shkroi në Facebook kreu i LDK-së.

“Temat e tjera të thata, përplot mllef e urrejtje, sharje e përplasje, po mbajnë shtetin e shoqërinë peng – tash e katër vjet. LDK ka tjetër vizion. Atë të zhvillimit, mirëqenies, punëve që lënë shenjë e mbahen në mend”, shtoi.

Edhe më 28 korrik, Abdixhiku, kur pati njoftuar se kryetari nga radhët e kësaj partie në Pejë, Gazmend Muhaxhiri po e ndërton palestrën e tetë në këtë qytet, pati bërë thirrje që në zgjedhjet e ardhshme nacionale të votohet partia që e drejton.

“Në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhja do të jetë fare lehtë. Në njërën anë i keni ata që ju mbajnë në moçalim e frustrimit përplot urrejtje, ndarje e përçarje ndaj secilit e ndaj gjithçkaje – e në anën tjetër keni ‘Rrugën e Re’ me plot 5 miliardë euro projekte konkrete në sport, kulturë, arsim, shëndetësi e infrastrukturë; në gjëra që përcaktojnë jetën tuaj e të familjeve tuaja vërtetë”.

Ndërkaq Kosova ka hyrë zyrtarisht brenda afateve ligjore në kuadër të të cilave presidentja Vjosa Osmani-Sadriu mund të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare.

26 janari 2025, është data që partitë opozitare kanë propozuar si më të përshtatshmen për organizmin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Këto propozime u bënë në takimin që e kishte thirrur Osmani me krerët e partive politike në vend – ku mungoi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri Albin Kurti.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore