Kosova

Abdixhiku: Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 16 vjetori të pavarësisë së Kosovës ka thënë se “shtëpia nuk mund të mbahet pa miq” duke i dhënë mesazh kryeministrit, Albin Kurtit, pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për çështjen e dinarit, e cila nxiti reagime të shumta ndërkombëtare me theks të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që pohoi se raportet me Kosovën janë lënduar.

Ai para deputetëve ka përmendur kontributin e Rugovës, UÇK-së dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Sot falënderojmë të gjithë aktivistët që punuan për këtë ditë., Falënderojmë prijësin e rrugës sonë dhe presidentin historik Ibrahim Rugova, falënderojmë luftën e shenjtë të UÇK-së dhe sakrificën e familjes së Jasharajve”.

“Në kohërat më të vështira, krijuam unitet të brendshëm. Krijuam ura bashkëpunimi mes vete dhe aleatë, prandaj kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë. Ndiejmë mirënjohje për aleatet që në orët më të vështira na dolën në krah. Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot dhe s’do të mbahet as nesër. Këto aleanca t’ia mësojmë brezave të rinj”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut shkuara e Kosovës, është e lavdishme dhe e papërsëritshme, dhe se Kosova është e përhershme dhe e pavdekshme.

“Rrugëtimi ynë si shtet krenar, me njerëz të jashtëzakonshëm e të ardhme të ndritshme do të vazhdojë. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e përhershme dhe e pavdekshme”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore