Kosova

Abdixhiku, qytetarëve: Në njërën anë i keni ata që ju mbajnë në moçalim e frustrimit – e në anën tjetër ‘Rrugën e Re’ me 5 miliardë euro projekte


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa ka njoftuar se kryetari nga radhët e kësaj partie në Pejë, Gazmend Muhaxhiri po e ndërton palestrën e tetë në këtë qytet, ka bërë thirrje që në zgjedhjet e ardhshme nacionale të votohet partia që e drejton.

“Në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhja do të jetë fare lehtë. Në njërën anë i keni ata që ju mbajnë në moçalim e frustrimit përplot urrejtje, ndarje e përçarje ndaj secilit e ndaj gjithçkaje – e në anën tjetër keni ‘Rrugën e Re’ me plot 5 miliardë euro projekte konkrete në sport, kulturë, arsim, shëndetësi e infrastrukturë; në gjëra që përcaktojnë jetën tuaj e të familjeve tuaja vërtetë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Duke qenë se Kosova shpejt do ta hapë sezonin zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – presidentja kosovare, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nisur veprimet institucionale për organizimin e zgjedhjeve parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm.

Kosova gjithashtu ka hyrë zyrtarisht brenda afateve ligjore në kuadër të të cilave presidentja Osmani-Sadriu mund të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare. Në këtë kontekst, partitë politike në vend kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja për t’u konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në nivel vendi.

Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar të shtunën se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga shefja e shtetit për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. E ftesës së presidentes Osmani-Sadriu i është përgjigjur në mënyrë pozitive edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ekzekutiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore