Kosova

Abdixhiku: Portreti i Nekibe Kelmendit do të shërbejë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kalon në selinë e LDK-së 


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se kanë shpalosur pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të Selisë Qendore në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në përvjetorin e vdekjes së saj.

Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se ajo ka qenë një nga aktivistet e para të LDK-së, por “edhe si profil i një njeriu që shkriu veten në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës”.

“Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë”, tha Abdixhiku.

Për kryetarin e LDK-së, gjurmët, sakrifica dhe puna e Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë.

“Nekibe Kelmendi, atdhetare dhe veprimtare e madhe e kauzës nacionale, ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nëne të pamposhtur që përkundër sfidave e dhimbjeve të rënda nuk u gjunjëzua asnjëherë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Më 19 qershor të vitit 2011, ka vdekur Nekibe Kelmendi. Ajo ishte nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputete nga radhët e këtij subjekti politik. Ajo njihej edhe si zonja e hekurt e LDK-së. Kelmendi, po ashtu ka qenë edhe ish-Ministre e Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore