Kosova

Abdixhiku: LDK-ja mbetet gardiane e demokracisë dhe relacioneve me aleatë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheqë mbetet gardiane e demokracisë dhe relacioneve me aleatët.

Këto komente, lideri i opozitës i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ka mbajtur një fjalë rasti në sesionin hapës të Kongresit të Partive Popullore Evropiane (EPP), ku ka folur edhe për rreziqet që Kosovës i kanosen nga Serbia.

“Para delegatëve e liderëve evropiane të djathtë, shtrova pikëpamjet politike të LDK-së, mbi rrugëtimin tonë origjinal euroatlantik, rreziqet e sigurisë nga Serbia, nevojën e menjëhershme për njohjet e pesëshes; sikurse dhe betejën tonë të përbashkët evropiane kundër populizmit!”, ka thënë ai.

Foto: Lumir Abdixhiku

E djathta evropiane, sipas Abdixhikut, do të garojë si “favorite në zgjedhjet e ardhshme Evropiane”, derisa ka vlerësuar se fitorja e saj “është siguri për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe vet projektin e Bashkimit Evropian”.

“LDK-ja mbetet gardiane e demokracisë dhe relacioneve me aleatë. E ardhmja jonë është Evropa. Aty duhet ta ankorojmë vendim tonë, si testament për të shkuarën, si obligim për të ardhmen!”, shtoi.

E ardhmja, në prizmin e Abdixhikut, “është e ndritshme!”.

Nga ana tjetër, për dallim nga Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti, mbëhstetje për zgjedhjet në Bashkimin Evropian i ka dhënë Partisë Evropiane të Socialistëve, pjesë e të cilës së fundmi është bërë edhe partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore