Lajme

Abdixhiku: Kurti kërkon tension, është politikan i paaftësisë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vend të qetësimit e përafrimit, “Albin Kurti kërkon tension”.

“Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël”.

Kreu i LDK-së ka theksuar se në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – “ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza”.

Për deputetin e LDK-së, “mashtrimi popullist s’duket ndryshe”.

“Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave. Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë”.

Abdixhiku ka theksuar se s’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to, “merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së”.

“Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Ligji për grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.

Kështu ka bërë të ditur ajo në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”.

Sipas saj, grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe udhëheqës i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Albanian Post se “po nuk u ekzekutuan pagat për të gjithë mësimdhënësit do ketë tensione”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore