Lajme

Abdixhiku: Kosova ka nevojë për zhvillim, si përgjigje ndaj populizmit polarizues e depresionit kolektiv


Lumir Abdixhiku dhe Gazmend Muhaxheri

“Kur një komunë e një kryetar punon sa një Qeveri”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Këto komente, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka bërë në një postim në llogarinë e tij në Facebook, pas vizitës që ka pasur në Komunën e Pejës, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, i cili vjen nga radhët e partisë që udhëheqë Abdixhiku.

Abdixhiku, në këtë postim, ka lavdëruar punën e kryetarit aktual të Pejës, derisa, duke kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, ka dhënë si model qeverisës këtë qytet, ku ka shtuar se Kosova ka nevojë për punë zhvillim, “si përgjigje ndaj popullizmit polarizues e depresionit kolektiv”, duke iu referuar ekzekutivit aktual.

“Sot, gjithë ditën e kalova në Pejë, tek Gazmend Muhaxheri dhe ekipi i shkëlqyeshëm i tij. U prita fillimisht në komunën e Pejës ku u njoftova me punët e kryera deri më tani dhe ato të planifikuara në vijim”, shkroi Abdixhiku.

“Vizituam punimet e fundit në Çerdhen “Karagaç”, që po bëhej gati për plot 100 fëmijë. Një çerdhe moderne, me kushte e standarde që fëmijët e Pejës i meritojnë në plotni”.

Këtë model, theksoi kreu i LDK-së, “do ta replikojmë në secilin qytet tjetër në Kosovë”.

‘Rruga e Re’ – programi politik që së fundmi është publikuar nga LDK – bëri me dije Abdixhiku, “parasheh ndërtimin e 80 çerdheve të tilla për vetëm katër vjet”.

“Vizituam më pas dhe dy Qendra të reja, të Mjekësisë Familjare, njërën në Karagaç e tjetrën në Vitomericë. Sërish, modele të shkëlqyera për kujdes primar ndaj qytetarëve. Njëra zëvendësonte një objekt disadekadësh, tjetra ishte risi e banorëve në Karagaç. Të dyja zgjidhnin përfundimisht kapacitetet e kujdesit primar në Pejë”, shtoi ai, derisa njoftoi se të njëjtat do të përurohen në ditën e pavarësisë, pra më 17 shkurt.

“Ndër shumë projekte të tjera infrastrukturore që po zhvillohen aktualisht në Pejë, vizituam rrugën turistike Vitomericë – Maja e Zezë; një mrekulli 6 kilometërshe mes bjeshkëve e pasurive të bukura të fala nga Zoti. Projekt kapital që le shenjë mbi gjenerata. Rrugë e re që çanë mes bjeshkëve për shtigje të pashkelura ndonjëherë”.

Foto: Lumir Abdixhiku

Kështu, sipas tij, “bëhet kur mendon për zhvillim”.

“E vërteta është se pak qytete kanë këso bukuri! E vetëm Gazi dhe qeverisja e LDK-së në Pejë arrin t’i shpërfaqë ato me kaq zotësi”.

Se Gaz Muhaxheri fiton bindshëm, në vlerësimin e Abdixhikut, “kjo s’është rastësi”, pasi që, siç thotë ai, “është punëtor, e bashkëpunëtor i ndershëm, prijës shembullor”, dhe se partia që ai udhëheqë ka kuadro të tilla, “nga ai tek secili drejtor e këshilltar lokal, është thjeshtë bekim”.

“Me ta, e të tillë gjithandej Kosovës, ‘Rrugën e Re’ do ta bëjmë realitet. Kosova ka nevojë për projekte të mëdha infrastrukturore, për çerdhe, shkolla, spitale e jo vetëm. Kosova, mbi të gjitha, ka nevojë për punë e zhvillim, si përgjigje ndaj populizmit polarizues e depresionit kolektiv”, shtoi.

E ardhmja, në prizmin e Abdixhikut, “është e bukur”.

Ai pohoi se LDK e ka gjetur “Rrugën e Re”, por në këto momente, shtoi ai, “kemi nevojë për secilin prej jush ta bëjmë atë realitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore