Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilin ka diskutuar për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa ftesa për takim me presidenten është refuzuar nga dy kryetarët e partive opozitare, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, është thënë se kryetari i LDK-së ia ka shprehur shqetësimet Osmanit lidhur me përmbajtjen e draft-statutit.
“Presidentja Osmani me Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit”.
“Abdixhiku e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë është theksuar se Osmani e ka njoftuar Abdixhikun edhe për fushën e sigurisë dhe atë të politikës së jashtme.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë”.
E para e shtetit ka paralajmëruar takim edhe me shoqërinë civile dhe mediat e po ashtu me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend.
“Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend, me shoqërinë civile dhe me mediat”.
E njëjta ftesë për takim me presidenten u ishte dërguar edhe krerëve të opozitës së tjerë, por që ishte refuzuar.
“Ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare. Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale”.
Më 6 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte paralajmëruar një takim me partitë opozitare, e që tema e diskutimit do të ishte draft-statuti evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serb – të cilin Kosova e ka pranuar në parim.
Por nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kjo ftesë nga Osmani është refuzuar.
Bashkimi Evropian më 1 dhjetor ua ka dorëzuar draft-statutin e Asociacionit partive opozitare, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).