Kosova

Abdixhiku: Beteja jonë s’është shtypja e mediave, as instalimi i përçarjes mes njerëzve tanë


Lumir Abdixhiku

“Beteja jonë nuk është shtypja e mediave. As instalimi i ndarjes e përçarjes mes njerëzve tanë”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Këto komente, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas fushatës skandaloze të pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, kundër mediave.

“Frustrimi popullor nuk është dhe s’ka qenë asnjëherë vlerë e popullit të Kosovës; prandaj përpjekjet e importuara për ngecje në urrejtje do t’i refuzojmë!”, shkroi Abdixhiku.

Kemi kohë pak, shtoi ai, “e aq shumë punë përpara!”

“Prandaj, pas çerdhes në Lipjan, vazhdojmë sot me punimet e mëdha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq”, potencoi ai, duke promovuar punën e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga LDK-ja.

“Shtim i hapësirave, shtim i kapaciteteve, shtim i shërbimeve – në mënyrë që kjo QKMF të ofrojë kujdes modern shëndetësor për secilin banorë në këtë qytet!”, pohoi.

“Sepse kemi punë”, deklaroi, dhe shtoi “sepse Kosova ka aq shumë punë!”.

“Sepse e ardhmja e jo përçarja, bën preokupimin tonë!”, përfundoi.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), por edhe shoqëria civile e personalitete publike, e kanë dënuar fushatën denigrueses të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndaj dy mediave online në vend: “Periskopit” dhe “Nacionales”.

Kjo pasi që eksponentë të lartë të pushtetit kanë shpërndarë një artikull të një mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, i cili është publikuar edhe në televizionin publik të Kosovës, në të cilën akuzohen këto media se janë nën “kontroll” të Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore